

SHIKONI VIDEOT DHE FOTOT
Tiranë, 24 shkurt 2012, NOA/ Arjola Ymeraj- “Dëshmori i Atdheut” Feti Vogli u nda përherë nga të dashurit e tij dhe nga gjithë populli shqiptar që për katër ditë rresht e vajtoi në pritje të kthimit të trupit në atdhe, e që për shumë gjatë do e kujtoj.
VIDEO: NATO sjell në Tiranë komandon e vrarë në Kandahar
Mund të ishte ende në krye të detyrës së bashku me komandot e tjerë shqiptarë në Afganistan ashtu sikundër u nis, por rrjedha e fatit ia ndërpreu detyrën në mes, duke përmbyllur tragjikisht misionin e tij të cilin e përfundoi si dëshmor.
U përcoll për në banesën e fundit, iu tha lamtumira fizikisht… kolegë të tij e mbajtën në krah për orë të tëra në një kuti të quajtur arkivol, e mijëra të tjerë e mbajtën në zemër, e mijëra e mijëra në mendje, e ata për të cilët kishte sakrifikuar, atdheu e familja do e mbajnë përjetë në shpirt, në kujtesë e në çdo përvjetor a festë do e kujtojnë si heroin, djalin trim që la pas prindër, grua e vogëlushen e tij, për të çuar deri në fund betimin, atë para flamurit.
U nderua si pakkush, ndoshta sepse ishte i veçantë, a ndoshta sepse ishte një njeri i zakonshëm me një fat të pazakontë…u dergj në dhe të huaj, askush nuk iu ndodh pranë, askush nga të dashurit e tij nuk e pa tek jepte shpirt, ama ishin të shumtë që e kishin në shpirt e në zemër.
U përlot një komb, u përkul një flamur… humbi valëvitjen e tij, u ul në gjysëm shtizë, ulën kokën shumë ushtarakë e gjeneralë, vajtuan rrugët ku kaloi kortezhi mortor, ndoshta pse iku i ri 31 vjeç, a ndoshta se iku si një dëshmor që kombi kishte vite pa parë… iu tha lamtumirë.
Nga ardhja në atdhe…te përcjellja si Dëshmor
Trupi i pajetë i kapiten Feti Voglit mbërriti në atdhe pas mesnate në orën 03.00 të mëngjesit të ditës së sotme, në pjesën ushtarake të Aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, me një avion ushtarak amerikan të NATO-s, pasi ra në krye të detyrës gjatë misionit paqeruajtës në Kandahar, Afganistan.
Për pritjen e tij kishin dalë ministri Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, gjeneralë dhe drejtues të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, familjarë, të afërm, miq dhe bashkëfshatarë të kapiten Voglit, efektivë të Batalionit Special, ushtarakë të strukturave të tjera të Forcave të Armatosura etj.
Trupi i pajetë i kapiten Feti Voglit , i mbuluar me Flamurin Kombëtar, u zbrit nga bordi i avionit në krah nga një grup ushtarakësh të ceremonialit dhe, i shoqëruar nga truproja e nderit dhe rënia e trumpetave të Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, u vendos në automjetin që do të kryente trasportimin e tij.
Më pas, kortezhi u drejtua drejt shtëpisë së tij në fshatin Baldushk, ku u bë edhe ceremonia mortore familjare, nën kuje e ulërima.
Në orën 11 00, nën marshet funebre të Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, arkivoli me trupin e pajetë të kapiten Feti Voglit, u vendos në hollin e Pallatit të Kongreseve, ku për dy orë rresht u bënë homazhe nga qindra e mijëra ushtarakë, banorë të komunës së Baldushkut dhe qytetarë të Tiranës e nga krerët e lartë të shtetit te qytetarët më të thjeshtë.
Pas homazheve, arkivoli me trupin e pajetë të kapiten Voglit u vendos në shtratin e topit përpara hyrjes së Pallatit të Kongreseve.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, fjalën e lamtumirës së fundit e mbajti shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi. “Jemi mbledhur sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dëshmorit të Atdheut, Kapiten Feti Vogli, i cili ra heroikisht në krye të detyrës si pjesëtar i misionit shqiptar “Eagle 4”, gjatë shërbimit në Kandahar, Afganistan, – i është drejtuar gjeneralmajor Gjunkshi qindra dhe mijëra të pranishmëve, – Kapiten Feti Vogli, lindi më 23 maj 1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës në një familje të thjeshtë, të ndershme, të respektuar e patriote”.
Pasi foli për jetën dhe karrierën e tij në Forcat e Armatosura, detyrat që ka kryer dhe pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse, gjeneralmajor Gjunkshi u shpreh: “Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer, një profesionist i talentuar, i përkushtuar, me rezultate dhe arritje të larta në detyrë, gjë për të cilën është vlerësuar dhe dekoruar disa herë me medalje të ndryshme. Ai ishte një djalë, bashkëshort dhe baba i përkushtuar, dhe një shtetas shembullor. Alva humbi bashkëshortin e përkushtuar, Egi humbi babin e dashur, prindërit humbën njeriun më të shtrenjtë, vëllai dhe motra humbën vëllain e devotshëm. Komuniteti ku lindi dhe u rrit humbi anëtarin e tyre fisnik. Efektivët e Batalionit të Forcave Speciale humbën kolegun e paharrueshëm. Forcat e Armatosura, Ministria e Mbrojtjes, mbarë populli shqiptar humbën luftëtarin e lirisë.”
“Fetiu ra në krye të detyrës, siç bien burrat shqiptarë; si trim, si hero, – ka nënvizuar më tej në fjalën e tij gjeneralmajor Gjunkshi, – në këto çaste shumë të vështira për familjen tuaj, për të gjithë ne, në emër të FA të Republikës së Shqipërisë, shprehim dhimbjen tonë më të thellë dhe ngushëllimet tona më të përzemërta për ushtarakun trim, besnik, hero.”.
“Akti heroik i Kapiten Feti Vogli, i bën efektivat e FA, të ndjehen krenarë përpara popullit dhe atdheut. Shpirti i tij do të prehet përjetësisht në altarin e lirisë të kombit shqiptar. Ai do të përmendet si shembull i shkëlqyer dhe heroik në çdo apel të kontingjenteve tona, që do të nisen në operacionet jashtë vendit. Ne do të përulemi gjithnjë me respekt përpara veprës dhe sakrificës së tij në shërbim të paqes e sigurisë, si ushtarak model”, – është shprehur në fund të fjalës së tij gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.
Më pas, arkivoli me trupin e pa jetë të Dëshmorit të Atdheut, Feti Vogli, i mbuluar me flamurin kuq e zi dhe i shoqëruar nga kortezhi i gjatë i njerëzve, është drejtuar drejt Varrezave të Dëshmorëve të Kombit.
Trupi i Kapitenit u vendos përpara monumentit “Nënë Shqipëri”, i rrethuar nga një skuadër ushtarakësh të Forcave Speciale.
Edhe këtu ashtu si në homazhe ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministri, Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, drejtues të partive politike, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik etj.
Çaste mjaft prekëse ishin kur komandanti i Batalionit të Operacioneve Speciale, kolonel Dritan Demiri, kreu “apelin e fundit”, ku thirri emrin e tij tre herë rresht, sipas ritualit ushtarak, por Feti Vogli nuk iu përgjigj apelit të fundit të komandantit të tij, pasi kishte rënë në krye të detyrës. Dritan Demiri, më pas, i ka dorëzuar babait të kapitenit të vrarë flamurin kombëtar me të cilin ishte mbuluar arkivoli.
Pas këtij rituali ushtarak, trupa të Batalionit të Forcave Speciale, ku bënte pjesë kapiteni Feti Vogli, nën shoqërimin e Orkestrës Frymore, e kanë mbajtur trupin e shokut të tyre në krah për ta dërguar në banesën e fundit në parcelën ku prehen edhe pilotët të rënë dëshmorë, ndër vite, në krye të detyrës.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





