Transmetuar më 24-02-2012, 20:25

Tiranë, 24 shkurt 2012, NOA- Sipas MeteoAlb, vendosja e një qendre të presionit të lartë atmosferik mbi Ballkanin verior do të kushtëzojë edhe gjatë ditës së nesërme mot të kthjellët dhe të ngrohtë në të gjithë territorin shqiptar. Për pasojë kthjellimet do të jenë dominuese në të gjithë vendin, më të dukshme në zonat e ulëta dhe bregdetare.

Edhe gjatë pasdites pjesa më e madhe e vendit do të jetë nën dominimin e motit të kthjellët, me përjashtim të zonave malore verilindore dhe juglindore ku të pranishme do të jenë edhe vranësirat e lehta. Parashikohet që kjo situatë e qëndrueshme e motit të na shoqërojë edhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje me 2 – 3 gradë në të dy vlerat si në ato të  mëngjesit dhe në ato të mesditës.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 30 km/h nga drejtim perëndimor dhe jugperëndimor, kjo do të bëjë që dallgëzimi në brigjet e Adriatikut dhe Jonit të mbetet  i ulët.

Europa

Nesër, Europa veriperëndimore dhe një pjesë e Europës Qendrore do të mbeten në kushtet e motit të paqëndrueshëm pasi vranësirat dhe reshjet e shiut dhe dëborës do të dominojnë këto rajone gjatë gjithë ditës por intensiteti i tyre do të jetë i dobët. Po ashtu reshje të pakta shiu e dëbore do të ketë sërish në Skandinavi dhe Balltik ku problematike në këto zona do të paraqiten edhe stuhitë e forta të erës, kjo si pasojë e bashkimit të dy fronteve të ftohtë dhe të ngrohtë atmosferik mbi këto vende. Gjithashtu e njëjta situatë meteorologjike me vranësira dhe reshje dëbore paraqitet edhe për Europën Lindore. Ndërsa sërish Europa Jugperëndimore, një pjesë e Europës Qendrore dhe Rajoni i Mesdheut do të dominohet nga moti i kthjellët dhe temperaturat do të jenë në rritje, situatë kjo e cila do të ndikohet si pasojë e vendosjes së qendrave me presion të lartë atmosferik mbi këto rajone.

Ngjarje ekstreme në Europë:

– Rusia do të mbetet me reshje dëbore dhe erë të fortë

– Vendet e Balltikut do të mbeten me reshje të dendura shiu e dëborë

– Norvegjia alarmon për stuhi ere dhe dëborë të dendur

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit