Transmetuar më 24-02-2012, 19:20

Në sesionin e hapjes së konferencës, gazetarit dhe analistit të njohur, Blendi Fevziu iu dorëzua çmimi “Gazetari i Vitit”, me motivacionin si gazetari më i suksesshëm i vitit 2011

Tiranë, 24 Shkurt 2012 NOA – Raporti mes medias dhe politikës, një nga çështjet më të diskutuara  nga publiku shqiptar pas viteve ’90, ishte kryetema e konferencës studentore “Media dhe politika”, e organizuar sot nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit “Hëna e Plotë”(Bedër).

Në sesionin e hapjes së konferencës ishin të pranishëm personalitete të rëndësishme nga fusha akademike, politika dhe përfaqësues të medias, të cilët vlerësuan punimet e kësaj konference si nja hap pozitiv në formimin akademik të studentëve dhe diskutimin e temave të tilla në një tjetër nivel.

Punimet e konferencës i përshëndetën Rektori i Universitetit Politeknik, Prof. Dr. Jorgaq Kaçani, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Assc. Dr. Tonin Gjuraj, z. Clive Rumbold, Sekretari i Parë dhe Shef i Sektorit Politik në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë dhe gazetari Blendi Fevziu.

Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, z. Ramadan Çipuri, kryetari i kësaj konference, vuri theksin në rëndësinë që kanë studimet në fushën e medias si pushtet i katërt dhe të politikës. Z.Çipuri tha se konferenca e parë studentore mbi “Median dhe politikën” synon sigurimin e një konteksti akademik për diskutimin e çështjeve që lidhen me komunikimin, problemet shoqërore etj., me  qëllim zhvillimin e perspektivës teorike dhe praktike të studentëve dhe edukimin e kompetencave specifike për profesionin, si dhe njohjen e tyre me zhvillimet më të fundit në fushën e shkencave të komunikimit.

Ndërkohë, Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë”(BEDËR), Dr. Ferdinand Gjana, në fjalën e tij përshëndetëse njohu të pranishmit me misionin dhe arritjet e deritanishme.

Rektori tha se konferenca me temë “Media dhe politika” merr vlera të veçanta në kushtet e shoqërisë shqiptare, ku media është një përcjellës i fuqishëm i informacionit.

Studentët,-vazhdoi ai-, kanë mundësinë të shpalosin idetë e tyre, të përballen me realitetin, të zhvillojnë debatin shkencor mbi median, të analizojnë zhvillimin e medias, të adaptojnë të rejat shkencore, duke rritur kështu cilësinë ballafaquese, duke fituar prirje të reja dhe duke kontribuar në mendimin shkencor”.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Valentina Leskaj tha se diskutimi i raporteve mes medias dhe politikës në një konferencë studentore ka një rëndësi të veçantë. Ajo tha se pavarësisht marrëdhënieve mes politikës dhe medias në vite dhe vështirësive, në këtë fushë është bërë progres. Leskaj tha se një pikë e rëndësishme është dhe përfundimi nga Komisioni i Medias, i ligjit për mediat audiovizive, duke e konsideruar atë si një proces të rëndësishëm. Të pranishmit e tjerë vlerësuan ndërmarrjen e një nisme të tillë dhe vunë theksin në domosdoshmërinë e rritjes së nivelit akademik dhe rritjes së bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare.

Çmimi “Gazetari i Vitit”, z. Blendi Fevziu

Në sesionin e hapjes së konferencës, gazetarit dhe analistit të njohur, Blendi Fevziu iu dorëzua çmimi “Gazetari i Vitit”, me motivacionin si gazetari më i suksesshëm i vitit 2011. Çmimi iu dha pas një anketimi të organizuar nga studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit me studentët në rang universiteti, ku Fevziu rezultoi gazetari më i votuar. Ndërsa falënderoi studentët për çmimin e akorduar, Fevziu tha se ndryshe nga vlerësimet e tjera që i janë bërë karrierës së tij si gazetar, ky çmim ka një tjetër vlerë, për faktin se jepet nga studentët. Ai tha se studentët e sotëm janë në një nivel për t’u admiruar. -“Më lejoni t’ju falënderoj për këtë vlerësim, pasi çmimi merr më shumë vlerë kur vjen nga studentët. Dua ta ndaj me ju një konstatim që kam nxjerrë nga vizitat e mia në këto 3 muajt e fundit, qoftë për promovimin e librit, por edhe raste të tjera. Kam ngelur i impresionuar nga niveli i lartë i studentëve”,- u shpreh ai. Duke përfituar nga rasti, ai u ndal dhe te çështja e konferencës. Fevziu tha që prej fillimit të viteve ’90 media shqiptare ka përparuar shumë. Sipas tij, kushtet në të cilat punohej në fillimet e gazetarisë së lirë shqiptare ishin shumë të këqija, ndërsa në ditët e sotme cilësia dhe standardet janë rritur ndjeshëm. Duke bërë një krahasim mes brezave të gazetarisë, ai tha se në fillim të medias së lirë, gjithçka kishte nisur nga e para, pa një model ndërkohë që tashmë s’mund të bëhen krahasime.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit