Transmetuar më 24-02-2012, 18:43

Prishtinë, 24 shkurt 2012, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e ka vlerësuar pozitivisht arritjen e marrëveshjeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin në organizatat rajonale të Republikës së Kosovës dhe për menaxhimin e integruar të kufijve.

“Dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura, dy vende fqinje e të barabarta, ndihmon në normalizimin dhe shtendosjen e marrëdhënieve, në lehtësimin e jetës e të punës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Konkretizimi i rrugës europiane për Republikën e Kosovës, me vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe me fillimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, do të përshpejtojë integrimin e Kosovës në BE dhe do të mundësojë thellimin dhe zbatimin e reformave në vend. Republika e Kosovës e ka të ardhmen në integrimet euroatlantike, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kjo rrugë e integrimeve është aspiratë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim, dhe ajo nuk ka alternativë tjetër”, shprehet Jahjaga, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sipas saj, marrëveshjet e arritura ndihmojnë këto procese dhe sigurojnë përfaqësimin e barabartë dhe si shtet sovran të Republikës së Kosovës në organizatat dhe mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Në vijim Jahjaga u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve, partive dhe subjekteve politike dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i japin mbështetje konkrete kësaj marrëveshjeje, të gjithë procesit të dialogut dhe rrugës së Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur në proceset e integrimeve euroatlantike.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit