Transmetuar më 24-02-2012, 18:28

Tiranë, 24 shkurt 2012, NOA- Në tryezën e organizuar për sportin nga Partia Socialiste, kreu i saj Edi Rama u shpreh se imazhi i krijuar për sportin në vend është mungesa e vizionit dhe qytetarisë për të.

Në vijim të fjalës së tij kryesocialisti theksoi se sportin do e bëjë pjesë të rilindjes shqiptare pasi është emancipim qytetar dhe një domosdoshmëri e munguar në shoqërinë ku jetojmë.

Sipas tij sporti largon veset e këqija dhe programi për të do jetë pronë e të gjithë njerëzve të sportit, për gjithë ata që duan të shohin një vizion të ri për sportin në Shqipëri.

“Gjithë ata që nuk gjetën veten, ikën nën një flamur tjetër, dhe shumë i quajtën tradhtar, por tradhtarët e vërtetë ishin ata që nuk panë talentin e këtyre njerëzve dhe nuk investuan për ta… e shpenzuan para pa fund në drejtim të paditur. Ngrejnë titullin kampion bote për vend tjetër, për shkak se shteti shqiptar nuk pati zemër e mend për të vënë një shumë në zërin buxhet sport, e pra kjo është një anë e medaljes që ne duhet ta fshimë përgjithmonë duke parë me vëmendje se për të patur një sport që të konkurrojë në nivele botërore në të gjithë nivelet sportive, e sot Shqipëria e ka të pamundur”, u shpreh Rama, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ai theksoi se për të zbuluar talente në kultura sportive nuk duhen para që nuk i kemi, por duhet një politikë që nuk e kemi.

Kreu i selisë rozë u ndal ndër të tjera se edhe në zona të rrënuara ekonomikisht

ka traditë për sporte të rënda dhe atje ka talente që nuk kanë nevojë për shpenzime të papërballueshme por për vizion, për tu kthyer në mite në ato komunitete ku sundon varfëria e dëshpërimi social e ku bashkëqytetarët e tyre nuk kanë mundësi.

Rama tha se një kampion bote një zonë e tillë mund ta nxjerr në peshëngritje e mundje, por nuk ka nxjerr vetëm një kampion të ri, por një shembull për gjithë ata që jetojnë në ato zona të humbura, për tu thënë se nuk ka vetëm bilardo e lloto.

Në mbyllje të fjalës së tij shefi i opozitës theksoi se projekti i PS është një projekt ambicioz, një flamur i ambicies për mënyrën se si duhet të integrohet kultura sportive dhe se si duhet të integrohet gjithë programi sportiv duke kaluar përmes konkurrencës.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit