Transmetuar më 24-02-2012, 18:05

Prishtinë, 24 shkurt 2012, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e ka cilësuar marrëveshjen e arritur mes Prishtinës e Beogradit si një marrëveshje që e përfaqëson denjësisht vendin në rajon.

“Lirisht mund të them se përderisa marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja e Ahttisarit i solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjellë shtetit të Kosovës integrimet evropiane dhe e bën Kosovën, Kosovë Europiane. Dhe nuk po flas këtu për liberalizimin e vizave, apo marrëveshjen tregtare, por për Procesin e Stabilizim-Asocimit, që është hapi i parë zyrtar në procesin e anëtarësimit të Kosovës në familjen e madhe Europiane. Kosova anëtarësohet, përfaqësohet, flet në emër të saj dhe ka fuqinë dhe autoritetin e nënshkrimit në të gjitha institucionet multilaterale si shtete të barabarta”, u shpreh Thaçi, raporton NOA.al.

Ai u shpreh se është i vetëdijshëm se formula në fusnotë nuk është ideale, por se është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës, ndërsa shtoi se kjo formulë është e përkohshme.

Thaçi deklaroi se me këtë marrëveshje u largua përgjithmonë UNMIK nga tavolina e përfaqësimit të Kosovës dhe se kjo marrëveshje, në asnjë rrethane nuk e zbeh shtetësinë e vendit, por përkundrazi, e forcën atë, duke i dhënë Kosovës vendin e saj të merituar në të gjithë mekanizmat ku do të përfaqësohet.

“Si lider politik dhe kryeministër i vendit dhe shërbyes për të gjithë qytetarët e Kosovës, unë kam përgjegjësi që të shoh përtej politikave dhe kalkulimeve të ngushta ditore. Unë jam i bindur, dhe koha do ta vërtetojë, që vendimi i sotëm do të fuqizojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar, do ta fuqizoj shtetin tonë dhe të ardhmen tonë. Asnjëherë, me asnjë kusht, me asnjë çmim nuk do të pranoja asnjë marrëveshje që nuk e fuqizon shtetësisë tonë. Kosova ka qenë Republikë edhe dje, kur në këto forume rajonale është përfaqësuar nga UNMIK-u dhe me mbishkrimin 1244, dhe do të vazhdojë të jetë republike edhe sot, kur do të përfaqësohet nga Institucionet e Kosovës, pa UNIMIK, dhe me fusnotë të balancuar me Opinionin e GJND-së për Deklaratën e 17 shkurtit për Pavarësinë”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri i Kosovës.

Thaçi u angazhua para qytetarëve se si Kryeministër, nuk do të ndalet së punuari për këtë qëllim, për Kosovën e pavarur, sovrane dhe europiane.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit