

Tiranë, 24 shkurt 2012, NOA- Pas debatit të ditës së djeshme në parlament mes opozitës dhe maxhorancës për Reformën Zgjedhore dhe atë parlamentare, Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet deputetit Jemin Gjana.
Në fjalën e mbajtur për këtë çështje Gjana shprehet se akuzat e opozitës kanë prapavijë bllokimin e punës në grupin e punës të reformës parlamentare, nga përfaqësuesit e opozitës, në këtë grup pune.
“Provokime dhe natyrë bllokuese, të cilat vijnë si rezultat i risjelljes në tryezë të grupit të punës, të amendamenteve të propozuara prej tyre, që në shtatorin e vitit të shkuar. Propozime dhe amendime të cilat i ka rrëzuar marrëveshja e nëntorit të vitit 2011. Argumenteve dhe përgjigjeve tona ndaj këtyre amendamenteve nuk i është dhënë përgjigje që nga 28 janari. Është heshtur nga pjesa e përfaqësuesve të opozitës dhe jo vetëm që nuk është reaguar, por edhe janë sjellë pretendime të ndryshme për pamundësinë për tu ulur dhe për të diskutuar në grupin e punës. Ndërkohë në mënyrë krejt të njëanshme është kaluar edhe në mediatizimin e çështjes me qëllim prishjen e frymës së konsensusit”, u shpreha Gjana, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Sipas tij, në thelb argumentet kundërshtuese bazohen në frymën e marrëveshjes të nënshkruar prej dy palëve në 14 nëntor të vitit të shkuar.
Më tej ai theksoi se marrëveshja, e cila për reformën parlamentare ka patur dakordësinë se nuk mund të ketë amendamente të cilat vijnë dhe janë në thyerje të Kushtetutës së vendit.
Deputeti demokrat deklaroi se më konkretisht është provokuar me qëllim për ta penguar, bllokuar, punën në grupin e punës.
“Duke i’u rikthyer kërkesës për votim të fshehtë të dekreteve që kanë të bëjnë me emërimet në sistemin Gjyqësor, kërkesë e cila vjen në kundërshtim me Kushtetutën, me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese sepse siç është tashmë e njohur dekretet për emërimin e Kryeministrit, të 15 ministrave, votimi i raporteve e për pasojë dhe votimi i dekreteve, të cilat nuk janë votim për emrin, por janë votim dekretesh të Presidentit për emërimet në Gjyqësor. Në mënyrë provokuese kërkohet me këto amendamente dhe prapavija është gjithmonë për ta bllokuar punën kur kërkohet që Kuvendit të Shqipërisë ti hiqet mundësia për të gjykuar mbi meritën e kandidaturave që propozohen për në sistemin Gjyqësor”, theksoi Gjana.
Më tej ai tha se, nuk ka gjë më të rëndësishme sesa gjykimi mbi meritën e kandidateve nga institucioni i Kuvendit të Shqipërisë, i cili është institucioni që merr vendimin përfundimtar për emërimin e tyre, sesa të gjykojë për meritën e atyre që dërgohen në sistemin gjyqësor, një ndër sistemet më problematike në Shqipëri.
Ai vijoi argumentin e tij duke i cilësuar si provokime të qëllimshme veprimet e opozitës duke sjellë amendamente që marrin në mbrojtje dhe nuk lejojnë penalizmin për ata deputete që zaptojnë në mënyrë të dhunshme foltoren e Kuvendit.
Sipas tij, opozita propozon thjesht për të bllokuar diskutimet, rivendosjen në rendin e ditës të çdo seance plenare, në fillim të saj, diskutimi i lirë 60 minutësh, ndërkohë që kalimi i kësaj çështjeje në fund të rendit të ditës është vlerësuar pozitivisht në Progres Raportin e Brukselit për vitin 2011 dhe se provokohet duke sjellë dhe risjellë propozimin dhe amendimin që Kryeministrit dhe ministrave t’iu kufizohet koha e diskutimit në Kuvend.
Gjana sqaroi se t’iu barazohet Kryeministrit dhe ministrave koha e diskutimit duke i barazuar ato me kohën e çdo deputeti, kjo vjen në kundërshtim flagrant, me pikën 2 të nenit 80 të Kushtetutës, e cila u ka dhënë të drejtën Kryeministrit dhe ministrave të kërkojnë në Kuvend dhe në komisionet e Kuvendit ku ata janë prezent sa herë dhe kur ata ta duan fjalën.
Ligjvënësi demokrat konstatoi se nuk mund të jetë Gjykata Kushtetuese dhe nuk është në kompetencat e saj që të merret me interpretim të rregullores së Kuvendit dhe të procedurave të punës se tij.
“Me gjithë këtë fryme dhe këtë tendencë për ta bllokuar, ne jemi përpjekur të tregojmë të gjithë gjenerozitetin tonë. Madje duke mos sulmuar, atakuar opozitën, përfaqësuesit e saj, drejtuesin e opozitës, deri në momentin që ata as nuk kthyen përgjigje, as treguan gatishmërinë për t’u ulur, për të punuar, dhe nuk kanë sjellë asnjë amendim të ri.
Kanë një muaj që kanë vazhduar t’i përtypin herë mediatikisht, herë në tryezën e punës të grupit të punës gjithë këto qëndrime”, sqaroi ndër të tjera Gjana, duke përsëritur edhe njëëherë gatishmërinë e maxhorancës për vazhdimin e punës për këtë reformë parlamentare, bazuar në atë konsensus dhe me atë mirëbesim që është vendosur në nëntor të 2011 në marrëveshjen e përbashkët.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





