

Tiranë, 24 shkurt 2012, NOA – Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot paradite një bisedë telefonike me Nëntetar Aleksander Peci, i cili ndodhet për një trajtim më të specializuar në spitalin ushtarak amerikan në Landstuhl, në Gjermani, si dhe me komandon që e shoqëronte.
Kryeministri Berisha i shprehu Pecit urimin e tij më të përzemërt, të qeverisë shqiptare dhe mbarë shqiptarëve, për shërim të shpejtë e të plotë dhe kthimin shëndosh e mirë në familje dhe në atdhe.
Zyra e Shtypit e Kryeministrisë njofton se “kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë dhe krenarinë e tij, të qeverisë dhe mbarë qytetarëve shqiptarë për misionin fisnik të paqeruajtjes që Aleksandri dhe të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e tjerë kryejnë në Afganistan, në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me burrëri, profesionalizëm dhe dinjitet të veçantë”.
Nëntetar Aleksander Peci u plagos gjatë një sulmi në 20 shkurt në Kandahar të Afganistanit. Në të njëjtin sulm mbeti i vrarë kapiteni Feti Vogli, ceremonia mortore e të cilit po zhvillohet sot.
a.k/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





