Transmetuar më 24-02-2012, 11:27

"Kompanitë që ofrojnë shërbime jetike, si furnizimin me drita, ujë, telefon apo rrugë lokale, duhet të kenë detyrime dhe përgjegjësi më të qarta për zonat me rrezik të lartë. Një plan kombëtar emergjencash duhet diskutuar në Parlament për të përmirësuar çdo element të paralajmërimit, parapërgatitjeve dhe menaxhimit të emergjencave"…

Nga Arben Malaj

Emergjencat dhe fatkeqësitë natyrore po shtohen. Gjithnjë e më shpesh bota po përballet me tërmete, thatësira apo përmbytje të mëdha. Temperaturat më të larta apo më të ulëta po i kalojnë ekstremet e 100 viteve të fundit. Diskutimi publik tani ka të bëjë me rritjen e aftësisë parashikuese, sensibilizimin në kohë të banorëve, marrjen e masave paraprake për ndërhyrje, me qëllim që të reduktohen në maksimum humbjet njerëzore dhe pasojat e rënda për çdo individ, familje dhe për ekonominë e vendit. Shqetësimi është se pasojat e këtij fenomeni në dëmtimin e shtëpive, infrastrukturës publike, shkollave dhe qendrave shëndetësore, dëmtimin e rrugëve lokale e nacionale dhe shkatërrimin e bizneseve, krijojnë kosto të rënda. Jeta e një familjeje së cilës i dëmtohet banesa apo edhe biznesi, jo vetëm përkeqësohet menjëherë, por rikthimi në normalitet kërkon miliona lekë. Shpenzimet dhe investimet publike për rikthimin në normalitet të institucioneve dhe shërbimeve publike rriten ndjeshëm. Përballimi i tyre kërkon burime të konsiderueshme financiare, të cilat shpesh imponojnë rishikimin e buxheti, shkurtim shpenzimesh e investimesh dhe përdorimin e tyre për emergjencat. Në rastin tonë kjo bëhet e detyrueshme pasi në buxhetin e vitit 2012 nuk u morën parasysh kostot buxhetore të krizës së energjisë dhe u reduktuan ndjeshëm shpenzimet e mirëmbajtjes, si dhe fondet e rezervës dhe kontingjencës. Parashikimi më i mirë i fatkeqësive natyrore, përgatitja paraprake më e mirë në zonat me rrezik të lartë, si dhe ndërtimi i sistemit të sigurimeve që i ndajnë këto kosto më mirë si për individët edhe për shtetin, kërkojnë një këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë. Kuadri ligjor dhe institucional, strukturat dhe skemat e operimit kërkojnë edhe mjete/logjistikë efektive. Problemi ynë është përvoja e përsëritur që angazhimi për përballimin e emergjencave fillon pasi ka ndodhur një situatë kritike. Jo rastësisht projekti i Bankës Botërore për emergjencat ka rreth katër vjet që zvarritet. Projekti i sigurimit të digave, i konceptuar që në vitin 2005, firmoset pas shtatë vjetësh. Jo rastësisht Rruga e Kombit nuk ka asnjë skemë dhe asnjë mjet modern mirëmbajtjeje. Duke mësuar nga situata e këtij viti, duhet të qartësojmë një hartë të zonave me rrezik të lartë nga fatkeqësitë natyrore. Këto zona, komuna dhe fshatra duhet të kenë një status të veçantë dhe për të cilat të punohet sapo afron sezoni kritik. Lista e këtyre fshatrave nuk duhet të jetë një garë politikanësh për ta shtuar atë pa fund. Ajo duhet të jetë shumë mirë e studiuar, bazuar edhe në historinë e emergjencave në një periudhë afatgjatë. Kjo listë mund të jetë pjesë integrale e ligjit të emergjencave, i miratuar në Parlament. Për këto zona duhet të ketë organizim specifik që përpara fillimit të sezonit lidhur me gatishmërinë e mirëmbajtjes së rrugëve, me garantimin e personelit mjekësor dhe furnizimin me barna të qendrave shëndetësore, me verifikimin e gjendjes së rrugëve, furnizimit me ujë, drita dhe shërbim telefonik. Shpërndarja e fondeve të mbështetjes sociale dhe të pensioneve do të reduktonte mungesën e ushqimeve. Në këto zona duhet të funksionojnë skema kreditimi të biznesit të vogël me kushte sa më favorizuese. Në këto zona duhet të fillojë garantimi i subvencionuar i sigurimit të banesave dhe biznesit. Kjo do të kërkojë që disa skema sigurimi të jenë të detyrueshme në të gjithë vendin dhe kompanitë e sigurimit duhet të sigurojnë edhe në zonat ku rreziku i fatkeqësive natyrore është i lartë. Është e vërtetë që skema e mirëmbajtjes së rrugëve kërkon fonde të mëdha, por skema e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit dhe modernizimi me mjete i qendrave të mirëmbajtjes së rrugëve në zonat më kritike të vendit nuk duhet të vonohet më. Mjetet e specializuara për hapjen e rrugëve – borëpastrueset – kanë efikasitet rreth 20 herë më të lartë se mjetet e përshtatura dhe të angazhuara në mënyrë spontane. Shpenzimet e mirëmbajtjes duhet të jenë më të mëdha në buxhetin e vendit. Investimet e pamirëmbajtura janë një keqpërdorim i taksave. Duhet një kontroll parlamentar më i rreptë për raportin midis fondeve të mirëmbajtjes dhe investimeve të reja të buxhetit. Kompanitë që ofrojnë shërbime jetike, si furnizimin me drita, ujë, telefon apo rrugë lokale, duhet të kenë detyrime dhe përgjegjësi më të qarta për zonat me rrezik të lartë. Një plan kombëtar emergjencash duhet diskutuar në Parlament për të përmirësuar çdo element të paralajmërimit, parapërgatitjeve dhe menaxhimit të emergjencave. Projektet e zvarritura deri në dështim të donatorëve për emergjencat duhen ndjekur me përparësi. Identifikimi i kostove buxhetore dhe i burimeve financiare për modernizmin e mirëmbajtjes së rrugëve (edhe lokale), duhet të jetë pjesë e buxhetit afatmesëm, dhe jo i një vendimi qeverie për të përballuar disa ditë të vështira emergjence. Ndërtimi i skemave të sigurimit dhe risigurimit të pasurive private dhe pronave publike duhet të mos zvarritet më. Nuk është hera e parë që diskutojmë/debatojmë për emergjencat – këtë element të rëndësishëm të qeverisjes së vendit – por duhet të jetë hera e fundit që kujtohemi dhe angazhohemi për emergjencat vetëm pasi ato kanë ndodhur dhe vetëm kur rreziku për banorët e këtyre zonave arrin në nivele kritike për jetën dhe pronën e tyre.

"Panorama"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit