
Nga Armand Shkullaku
Në fillim të vitit 2012, Kosova duket se po shkon drejt një kompromisi tjetër të vështirë për të. Kjo ka bërë që krejt vendi të jetojë me dramën e asaj çka po ndodh këto orë në Bruksel. Një marrëveshje për të pranuar një fusnotë krahas emrit të Kosovës, ku referohet Rezoluta de facto e tejkaluar 1244, për të cilën nguli këmbë Beogradi, është çmimi që duhet paguar që vendi të ketë një ulëse në nismat dhe forumet rajonale. I thjeshtëzuar dhe parë për së largu, ky raund i bisedimeve në Bruksel po bëhet pikërisht për këtë qëllim. Por, në Prishtinë, referenca në Rezolutën e OKB-së të vitit 1999 ka provokuar një reagim të jashtëzakonshëm, saqë pjesëmarrja në nismat rajonale ka kaluar në plan të tretë. Qeveria po e paraqet këtë kompromis të vështirë si çmim për të paguar diçka shumë më të madhe, siç është integrimi i vendit në NATO dhe BE, dhe jo thjesht një çështje teknike në dialogun me Beogradin. Vetëvendosja, nga ana e saj, e ka cilësuar marrëveshjen për fusnotën si një degradim të shtetit për të mbajtur pushtetin, si një legjitimin të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe si një lehtësim në rrugën e Serbisë drejt BE-së. Edhe parti të tjera të opozitës dhe pjesa më e madhe e opinionit publik kanë qenë të pezmatuara nga ky kompromis dhe e kanë vënë qeverinë në shënjestrën e goditjeve të tyre. Ndryshe nga kompromise të tjera të vështira, si Konferenca e Rambujesë apo negociatat e Vjenës, këtë herë vendimi për të lëshuar pe ndaj presioneve të Beogradit dhe kërkesave të ndërkombëtarëve nuk u nda mes forcave të ndryshme politike. Nëse dikur paqartësitë për të ardhmen e vendit legjitimonin ekipet e unitetit dhe vendimet konsensuale, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe në prag të përfundimit të mbikëqyrjes së saj, është normale që ata që qeverisin të kenë përgjegjësinë edhe për çështje të ndjeshme si kjo e përfaqësimit të Kosovës në forumet ndërkombëtare. Në këtë kontekst të ri, duam apo nuk duam, edhe temat delikate që kanë të bëjnë me shtetësinë do të shfrytëzohen për qëllime politike brenda vendit. Në këtë betejë të re politike, përveç qëndrimit të qeverisë dhe kundërshtimit të ashpër të Vetëvendosjes, po përpiqet të ketë një zë edhe partia më e madhe opozitare, LDK. E joshur nga vala e pakënaqësisë së dukshme ndaj këtij lëshimi të Prishtinës zyrtare në dialogun më Beogradin, kryetari i LDK, Isa Mustafa dhe ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, e akuzuan qeverinë se po rihap çështjen e statusit të Kosovës dhe po ndihmon Tadiçin. Dalja në publik me figurat kryesore të partisë, gjë e pazakontë për LDK, u bë për t’i dhënë dramaticitet dhe një peshë të rëndë në dukje kundërshtimit të vendimit të qeverisë. Duke parë ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj një çështjeje të tillë dhe daljen e Vetëvendosjes në plan të parë, edhe LDK nxitoi të mos mbetej mbrapa. Mirëpo vrapimi i dyshes Mustafa-Hyseni nuk mund të shkonte shumë larg. LDK u mjaftua me konferencën e shtypit dhe evitoi të merrte pjesë në një tryezë opozitare të propozuar nga VV, ku do të diskutoheshin hapat e përbashkët për të penguar qeverinë të pranonte marrëveshjen për fusnotë. Drejtues të LDK thanë se do të shqyrtojnë planin e veprimeve të tyre pasi të shohin se çfarë do të ndodhë në Bruksel. Isa Mustafa nuk ka folur më për këtë çështje dhe askush nuk e di konkretisht se çfarë do të bëjë LDK për të kundërshtuar marrëveshjen që, sipas saj, është një koncesion i papranueshëm dhe shumë i dëmshëm për Republikën e Kosovës. Ky hezitim, ose më saktë ky kundërshtim i qeverisë i lënë në mes nga LDK, nuk është i vështirë për t’u shpjeguar. E kompleksuar nga VV dhe pakënaqësia e një pjese të qytetarëve, LDK do të bëjë opozitën e fortë për të treguar që edhe ajo frymon. Por, nën presionin e ndërkombëtarëve, (të cilët prej numrit një të Diplomacisë botërore, Hillary Clinton, e deri te përfaqësuesi i BE në Kosovë, Zhbogar, janë për arritjen e kompromisit), si dhe duke qenë pjesë e marrëveshjes me PDK të ndërmjetësuar nga Christopher Dell, që prodhoi Presidenten konsensuale, Isa Mustafa nuk mund të zemërohet seriozisht. Ose nuk e ka fuqinë e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Që të shfrytëzosh politikisht një moment si ky, duhet forcë për ta bërë dhe LDK-së kjo po i mungon për shkak të qëndrimit të paqartë, të mbetur në mes. Do të ishte më e ndershme që LDK të deklarohej pro vendimit të qeverisë dhe të jepte arsyet e veta ose nëse mendon se vendi po shkon drejt humnerës, të bashkohet me VV për ta ndalur atë me çdo mënyrë. Isa Mustafa nuk do të bëjë asnjërën dhe as tjetrën, dhe për më tepër të përfitojë politikisht. Kjo është pak e vështirë dhe e nxjerr zbuluar pafuqinë e tij për të marrë vendime. Nëse qeveria e Kosovës ka marrë një vendim që mund t’i kushtojë vota në elektorat e për të cilin do të gjykohet nesër, nëse Vetëvendosja, po ashtu, ka përcaktuar një qëndrim të prerë, pavarësisht çmimit që po paguan në raport me ndërkombëtarët, në të dyja rastet duhet kurajë politike për të vepruar. LDK-së kjo i mungon, prandaj dhe nuk ka të drejtë e as moral të përfitojë politikisht nga një situatë e nxehtë, ku kërkon edhe të ngrohet, edhe të mos digjet. Në këtë dramë politike, LDK ia ka përcaktuar vetes rolin e spektatorit.
NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





