Transmetuar më 23-02-2012, 21:05

Tiranë, 23 shkurt 2012, NOA – Disa orë para mbërritjes në atdhe të trupit të pajetë të dëshmorit të kombit Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës gjatë një misioni special në Kandahar të Afganistanit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha vizitoi sot familjen e kapitenit Vogli ku u shprehu ngushëllime familjarëve për humbjen e djalit në luftë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryebashkiaku pasi ngushëlloi familjarët e të ndjerit theksoi për mediat se kapiten Feti Vogli dëshmoi zotësinë për mbrojtjen e vlerave që bashkojnë forcat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Si qytetar por edhe në emër të qytetarëve të Tiranës jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjen Vogli për humbjen e djalit të tyre të shtrenjtë, për t’u orfuar ngushëllimet e mia edhe në emër të qytetarëve të Tiranës por edhe për të njohur nga afër këtë familje që nxorri një hero si Kapiten Vogli. Me veprën e tij “Dëshmori i Atdheut” Kapiten Feti Vogli na kujton se kufijtë e atdheut tonë, jo në kuptim fizik por të vlerave që përfaqëson atdheun për çdo qytetar, vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë, janë sot shumë më të mëdhenj dhe shumë më të shtrirë”, u shpreh Basha.

Ai nënvizoi se këto vlera mbrohen në territore të tilla si Afganistani ku trupat shqiptare operojmë krah për krah me aleatët e NATO-s.

“Ne sot tregojmë me vepra dhe jo me fjalë se jemi plotësisht të zotë, po aq të zotë sa aleatët tanë. Sakrifica e Kapiten Feti Voglit dëshmon se jemi gati që me sakrificën e bijve tanë të mbrojmë këto vlera të përbashkëta që qendrojnë në themel të asaj që na bashkoi me aleancën e Atlantikut të Veriut dhe asaj që na bashkon, në përpjekje dhe sfidat tona për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë jo vetëm sot, apo nesër, por për brezat që vijnë standardet, sigurinë, lirinë, demokracinë dhe të mirat që gëzojnë aleatët tanë”, përfundoi deklaratën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kapiteni Feti Vogli u vra të hënën gjatë një misioni patrullimi të njësisë shqiptaro-amerikane në fshatin Robat 2 të Kandaharit në Afganistan, ku mbetën të plagosur edhe komandoja shqiptar nëntetar Aleksandër Peci dhe një ushtar amerikan.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit