Transmetuar më 23-02-2012, 12:53

Tiranë, 23 shkurt 2012, NOA- Kryesocialisti Edi Rama ka reaguar pak çaste më parë ndaj deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha në seancën e sotme paralemantare.

Në fjalën e tij Rama shprehet se nuk është aspak i i befasuar nga vulgariteti antiopozitë që karakterizon tradicionalisht retorikën e Kryeministrit, ka nënvizuar shqetësimin e Partisë Socialiste për zvarritjen e Reformës Zgjedhore përtej afatit të përcaktuar në aktin e formimit të komisionit përkatës.

“Sali Berisha përsërit se opozita ka pranuar ato që i janë ofruar dy vjet më parë, por e vërteta është se pala e keqdrejtuar prej tij nuk ka pranuar ende asnjë nga pikat e domosdoshme kyçe për një reformë të plotë e të drejtë zgjedhore. Dy vjet rresht Kryeministri ka përsëritur me dhjetëra herë për opinionin publik vendas dhe atë ndërkombëtar se është gati të pranojë çdo propozim të opozitës për Reformën Zgjedhore. Sot, kur për pak ditë skadon afati i kryerjes së kësaj reforme, Sali Berisha nuk ka pranuar ende asnjë nga rekomandimet kyçe të ODHIR-it e jo më propozimin e opozitës për përmirësimin e vetë sistemit zgjedhor. Për të cilin media shqiptare mund të gjejë plot raste kur ai ka thënë shprehimisht: Do pranoj çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe çdo sistem zgjedhor që propozon opozita”, shprehet Rama, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sipas tij, se kush është Kryeministri i sotëm i Shqipërisë e se sa për zemër e ka ai funksionimin e demokracisë dhe zgjedhjet e lira e kanë marrë vesh të gjithë, edhe shqiptarët edhe komuniteti ndërkombëtar edhe pse socialistët e kanë ditur me kohë.

Në vijim ai kërkoi respektimin pikë për pikë të vendimit të parlamentit për Reformën Zgjedhore dhe futjen në kod pikë për pikë e çdo rekomandimi të OSBE/ODHIR-it, ashtu sikundër hapja e një debati transparent në Komisionin e Reformës Zgjedhore edhe për përmirësimin e sistemit zgjedhor.

Rama thekson se, pala tjetër nuk është e detyruar të bëjë atë që mendon e propozon PS për përmirësimin e sistemit zgjedhor, pavarësisht se propozimi lidhet me interesin e gjerë publik jo me interesin e ngushtë të Partisë Socialiste.

Kreu i selisë rozë shprehet se maxhoranca padyshim është e detyruar të votojë bashkë me opozitën pa humbur kohë reformën, mbi të gjitha pikat detyruese të listës së gjatë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it.

Ndër të tjera ai shton se, “Që Sali Berisha kërkon ta zvarrisë Reformën Zgjedhore për të bërë të pamundur implementimin e masave të reja anti- manipulim për shkak të mungesës së kohës nëse miratimi i këtyre masave shtyhet pafundësisht, këtë e kemi ditur përpara se të ndodhte. Prandaj edhe kemi kërkuar dhe marrë fjalën e komunitetit ndërkombëtar për  monitorimin nga afër të kësaj reforme kyçe për funksionimin demokratik të vendit e sigurisht edhe integrimin europian të tij. Ne s’kemi bërë asnjë marrëveshje me Sali Berishën e me qeverinë e tij kur jemi ulur në tryezën e Reformës Zgjedhore apo në tryezën e Komisionit të Ligjeve për ligjet me 3/5-tat që po i shkruajmë thuajse nga e para për të futur në to frymën e normat europiane të funksionimit të shtetit. Por kemi një marrëveshje me publikun shqiptar për ta çuar përpara integrimin europian të vendit dhe do të vazhdojmë të përpiqemi me të gjitha energjitë e forcat në këtë drejtim”.

Në vijim të deklaratës së tij shefi i opozitës Edi Rama u kërkon miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të mos lejojnë që Reforma Zgjedhore, për fatin e së cilës ata janë angazhuar solemnisht përpara shqiptarëve pas dy dështimesh me radhë të dy palë zgjedhjeve, duke e përcaktuar së fundmi këtë reformë si prioritetin e prioriteteve për integrimin europian të Shqipërisë, të dështojë në funksion të axhendës së njohur të Kryeministrit, që fatkeqësisht mbetet vjedhja e zgjedhjeve të radhës.

Kryesocialisti e përmbyll fjalën e tij duke thënë se nesër do të jetë vonë për ta ndaluar përsëritjen e historisë së shkeljes së vullnetit të popullit sovran.

Më herët Kryeministri Berisha e akuzoi kreun e selisë rozë se ka urdhëruar grupin e vetë që të vihen kushte për Reformën Zgjedhore në mënyrë që ta bllokojnë atë.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit