

Tiranë, 23 shkurt 2012, NOA/Arjola Ymeraj- Kryeministri i vendit Sali Berisha në fjalën e mbajtur në seancën parlamentare u shpreh se Partia Socialiste kërkon ndryshimin e Kushtetutës që ti kushtëzojë fjalën Kryeministrit.
“Kryetari i tyre i cili është dhe kandidati kryesor për Kryeministër në logjikën formale nuk garoi për deputet. E pengova unë zotërinj?! Përkundrazi i ofrova në atë kohë ndërrimin e Kushtetutës që ti lejonte të ishte edhe si kryetar bashkie edhe si deputet në garë, ia bëra këtë me një vendosmëri që të mos ndodhte një rast unikal në Europë dhe në botë që komandanti nuk dilte në krye. Unë e falenderoj publikisht Edi Ramën që nuk garoi për deputet dhe garoi për garën e Tiranës, ky zotëri që nuk garoi dhe nuk pranoi të vijë në parlament urdhëron grupin e vetë që të vihet kufiri te thana në reformë dhe për ta bllokuar atë”, u shpreh Berisha, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Sipas tij, opozita kërkon që dekretet të votojmë fshehtas, por shtoi se dekreti nuk është person pasi është akt madhor juridik dhe se asnjëherë, nuk votohet personi por votohet dekreti e ligji, ndaj tha ai opozita kërkon të imponojë dhe urdhërojë që Kryeministri të mos flasë më shumë por baraz me kryetarin e opozitës.
Ai tha se nuk mund të lexohen raportet sipas qejfit të socialistëve, pasi është pranuar çdo propozim ndër më absurdët por që nuk prekin disa nga parimet themelore.
Më tej Berisha shtoi se, “Asnjë rekomandim i OSBE-ODHIR nuk është bllokuar dhe as do të bllokohet por iu doni në mënyrë absolute të bllokoni statusin, por as sot dhe as kurrë kjo maxhorancë nuk do iu lutet më që të mos e bllokoni statusin. Sepse bëtë 1700 demonstrata, rrethuat Kryeministrinë e pësuat në mënyrën më ekzemplare, tani si të doni, doni të ecim mirë, nuk doni, 2013 vjen dhe shqiptarët do japin verdiktin e tyre.
Harrojeni çdo forme presioni mbi këtë maxhorancë, sepse nuk e njohim”.
Në replikë me Kryeministrin, kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi u shpreh se, nuk e lejon rregullorja përfaqësuesin e opozitës që ti japë përgjigje Kryeministrit, pasi Kryeministri kur ka qenë në opozitë për 8 vjet ke folur sa herë ka dashur.
“Ajo që kërkon opozita nuk themi se rregullorja e parlamentit nuk është demokratike, është demokratike se është bërë në kohën e socialistëve, po pse nuk është demokratike sot, nuk është sepse ti ndërhyn në mënyrë të njëanshme me kartonat e tu, këtë do të ndryshojë opozita, ta kthejë në rregullore demokratike. Më gjej një parlament të botës që bën rregullore pa vullnetin e opozitës. Ju thoni që kërkojmë që të ndryshojë Kushtetuta për ti mohuar fjalën Kryeministrit, absolutisht jo, nuk është kjo kërkesa e opozitës”, u shpreh Ruçi.
Sipas tij, kërkesë e opozitës është që Kryeminsitri të mos jetë një zë i vetëm në parlament, që Kryeministri për atë që thotë të ketë një përgjigje.
Ruçi tha se këtë do të korrigjojë opozita shqiptare, pasi 20 vjet është votuar për dekretet e Presidentit me votim të fshehtë dhe se ka vetëm dy vjet ndryshe.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha theksoi se “Meqenëse kryetar i i grupit të minorancës më kujtoi kohën kur isha në opozitë, që e kam pasur luksin e fjalës, tani zonja kryetare do llogarsisni kohën e kreut të opozitës në atë kohë, dy vitet e fundit dhe kohën e mëkëmbësit të kryetarit të opozitës që janë në parlament dhe shpërndajuani e pastaj del se kush ka pasur kohë më shumë. Por kujtoj se kur unë isha kryetar opozite nuk garoja për kryetar bashkie por rrija në krye të opozitës, ulesha si kryetar i opozitës”.
Më herët në fillm të seancës u mbajt 1 minutë heshtje për kapiten Feti Voglin i vrarë në Afganistan në kuadër të misionit paqeruajtës “Eagle4” dhe u urua shërim i shpejtë për nëntetarin e plagosur Aleksandër Peci”.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





