Transmetuar më 22-02-2012, 17:55

Tiranë, 22 shkurt 2012, NOA- Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit për Punët e Jashtme të Zvicrës, Peter Maurer.

Duke vlerësuar kontributin që ofron shteti zviceran përmes programeve të asistencës për zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve në Shqipëri, Rama theksoi domosdoshmërinë për shtrirjen e kësaj përvoje pozitive dhe në fusha të tjera, si dhe të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes vendeve tona.

Në vijim të interesimit të bashkëbiseduesit, Kryetari i PS u ndal mbi problemet e mprehta me të cilat përballet Shqipëria si sundimi i ligjit, presioni ndaj institucioneve të pavarura, korrupsionin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor.

Siç raporton NOA.al, nga ana e tij Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme të Zvicrës, Peter Maurer, falenderoi Kryetarin e PS për analizën e situatës aktuale në vend, si dhe sugjerimet konkrete për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona përmes programeve me interes prioritar.

Më herët Sekretari i Shtetit të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Peter Maurer u prit në takim nga Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto përshëndeti rolin aktiv dhe konstruktiv që Zvicra luan në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si politikisht ashtu edhe në aspektin ekonomik dhe të sigurisë.

Sakaq Sekretari Maurer ndau të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet emira mes dy vendeve, duke nënvizuar se angazhimi i përbashkët është evident edhe në kuadër të operacioneve ndërkombëtare paqeruajtëse, tregues i interesave dhe qasjeve të përbashkëta përballë sfidave të sigurisë globale. Në këtë kontekst ai shprehu ngushëllimet për Kapiten Voglin, i cili ra në krye të detyrës në Kandahar, Afganistan.

Sekretari Maurer vuri në dukje se politika e sigurisë dhe e stabilitetit kanë qenë arsyet madhore që kanë nxitur përfshirjen e thellë të Zvicrës dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet angazhimit politik, ekonomik dhe në fushën e sigurisë.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit