Transmetuar më 21-02-2012, 18:19

Prishtinë, 21 shkurt 2012, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi drejtoi sot takimin e radhës së Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, në fjalën e mbajtur me këtë rast, Thaçi vlerësoi si të qëndrueshme gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Republikën e Kosovës, me përjashtim të veriut ku situata e përgjithshme e sigurisë mbetet e tensionuar dhe vazhdon të provokohet nga strukturat ilegale dhe ekstremiste serbe.

Në vijim ai nënvizoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime që edhe në veri të shtrijë kushtetutshmërinë dhe zbatimin e ligjit, duke pasur edhe mbështetjen nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe NATO.

Në takim u tha se Qeveria e Kosovës, me gjithë kundërshtimet e disa subjekteve politike, me obligimet e saja ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ka ndjekur një politikë parimore, duke treguar gatishmëri të vazhdojë bisedimet teknike me Serbinë.

Meqenëse ky vit kalendarik është edhe viti i përmbylljes së Pavarësisë së Mbikëqyrur, Këshilli i Sigurisë së Kosovës rekomandoj që përmbyllja e këtij procesi ta gjej Kosovën të përgatitur në të gjitha sferat e politikave të sigurisë, prandaj u vlerësua i qëlluar dhe proces i domosdoshëm propozimi që Kosova të fillojë me Rishikim Strategjik të Sektorit të Sigurisë.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit