

Tiranë, 21 shkurt 2012, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha zhvilloi ditën e sotme një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e familjes së Kapiten Feti Vogli, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4” në Afganistan, i cili ra dje, në krye të detyrës, në Kandahar.
Kryeministri u shprehu prindërve, bashkëshortes dhe të afërmve ngushëllimet për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur, por edhe nderimin për sakrificën e Kapiten Voglit, në emër të paqes dhe lirisë.
Siç raporton NOA.al, në fjalën e mbajtur për mediat Kryeministri u shpreh se, “Erdha për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim, të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare, për të ndarë dhimbjen e pikëllimin me familjen e Kapiten Feti Voglit, që ra për t’u bërë i pavdekshëm, në një mision fisnik paqeje, në Kandahar, Afganistan. Cilido që e ka njohur, ka njohur tek biri i kësaj familje, tek Kapiten Feti Vogli virtytet më të arrira të një njeriu të mrekullueshëm, të një ushtaraku të përgjegjshëm, një bashkëshorti dhe djali shembullor. Unë përcolla gjithashtu, ngushëllimet e bashkëluftëtarëve të tij, me komandantin e të cilëve zhvillova mbrëmë një bisedë telefonike, të cilët ishin të tronditur thellë e të pikëlluar për humbjen e vëllait, mikut e bashkëluftëtarit të tyre, Kapiten Feti Vogli”.
Në vijim duke shprehur ngushëllimet, ai u lut që shpirti i Kapiten Voglit të gjejë paqen që meriton, pasi ky burrë i dha nder çdo shqiptari, me sakrificën e tij sublime, në emër të paqes, jetës e lirisë, për të cilën u sakrifikua.
Sakaq lidhur me gjendjen shëndetësore të Nëntetar Aleksandër Peci, Berisha tha se gjendja e tij shëndetësore, ka problemet e veta, por mjekësia amerikane do të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar jetën Aleksandrit.
Më herët edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i shprehu ngushëllimet familjes së Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës në Afganistan.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë Topalli shprehu ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta familjes se Kapiten Feti Voglit, dhimbjen më të thellë për këputjen e jetës së një djali të ri, të një prindi të ri, të një heroi shqiptar.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





