

Tiranë, 21 shkurt 2012, NOA – Pas arrestimit të të shumëkërkuarit për vrasje Fiqiri Seferi në Itali, lajmërohet se në Greqi është arrestuar i shumëkërkuari, Feta Faslli Kaja, 36 vjeç, lindur në Mbrostar Ura-Fier, i dënuar me burgim të përjeshëm për vrasjen e dy bashkëshortëve Bajram e Natasha Driza, 13 vjet më parë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Lajmin për kapjen në Greqi të 36-vjeçarit Feta Kaja e bëri publik Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.
Gjykata e Fierit me vendimin nr.44, datë 27.02.2002, e ka dënuar shtetasin Feta Kaja me burgim të përjetshëm, për vjedhje me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim.
Policia e Shtetit bën me dije se Feta Kaja u shpall fajtor pasi më datën 07.08.1999, në bashkëpunim me Viktor Pelivanin dhe Jurgen Bacjan, kanë hyrë me qëllim vjedhjen e parave në banesën ku jetonin shtetasit Bajram Driza dhe Natasha Driza.
Pasi janë diktuar prej bashkëshortëve Driza, në momentin e vjedhjes, Feta Kaja ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të vdekur në vend dy bashkëshortët.
36-vjeçari Feta Kaja u arrestua më 16 shkurt të këtij viti me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





