

Tiranë, 21 shkurt 2012, NOA – Një ditë pas sulmit ku u qëlluan dy komandot shqiptarë në Kandahar, ku mbeti i vdekur kapiteni Feti Vogli dhe në gjendje të rëndë nëntetari Aleksandër Peçi, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh keqardhjen e thellë për rënien në krye të detyrës të dy heronjve të Forcave Armatosura në luftën kundër terrorizmit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
PDIU vlerëson se “me veprën dhe sakrificën e tyre dy heronjtë na kanë bërë të gjithëve borxhli dhe kanë dëshmuar një atdhedashuri të pamatë duke na bërë të gjithëve krenarë e mirënjohës”.
Në këtë suazë, PDIU i përcjell ngushëllimet më të ngrohta familjarëve të dëshmorit Feti Vogli, ndërsa shpreson shërimin e Nëntetarit Aleksandër Peçi duke i siguruar familjet, se gjaku i tyre s’është derdhur kot, por për një kauzë të drejtë, sikurse është liria dhe paqja nëpër botë.
PDIU do të përpiqet të ndikojë që familjet e dy heronjve të marrin një shpërblim dinjitoz nga shteti.
PDIU zotohet që në të ardhmen do lobojë për rritjen e buxhetit për mbrojtjen në mënyrë që ushtarakët tanë të jenë më mirë të armatosur dhe të përgatitur, të jenë të pajisur me mjetet më moderne të kohës, të kenë trajtim material të krahasueshëm me aleatët tanë si dhe që veteranët dhe familjet e ushtarakëve të gëzojnë mbështetje më të madhe nga shteti.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





