

Tiranë, 20 shkurt 2012, NOA- Ministria e Brendshme pasditen e sotme ka bërë të ditur situatën në vend dhe akset rrugore si rrjedhojë e dëborës dhe motit të keq që ka përfshirë vendin muajin e fundit.
Sipas zëdhënësit të MB, Fatmir Konja bëhet me dije se të bllokuara janë 14 komuna, ndërsa vazhdon puna edhe për zhbllokikmin e tyre.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në Qarkun e Shkodrës sot është punuar dhe vazhdon puna për hapjen e akseve rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Iballë dhe Fierzë.
Në Qarkun e Kukësit është punuar dhe vazhdon puna për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Shishtavec, Grykë Çajë, Kalis, Lekbibaj dhe Arrën.
Lura, Selishta dhe Zall Reçi, janë tre komunat e Qarkut të Dibrës, ku gjithashtu vijon puna për lidhjen e qendrave të tyre me akset kombëtare.
Puna e kryer gjatë gjithë këtyre ditëve mundësoi ndërkohë lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Qelëz, Kelmend, Poroçan, Lenie, Kukur, Zavalinë, Blerim dhe Bytyç.
Theksohet se në bilancin e sotëm rezultojnë 8 komuna më pak të bllokuara se ditën e djeshme.
Për sa i takon emergjencave shëndetësore në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave për ditën e sotme janë raportuar 5 misione me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kështu janë transportuar për shkak të emergjencave shëndetësore në spitalin e Bajram Currit një burrë dhe një grua nga fshati Papaj, si dhe një person tjetër nga fshati Degë i Tropojës. Janë kryer dy misione të tjera fluturimi për transport medikamentesh mjekësore në Lurë dhe Selishtë.
Ndërsa njësia e helikopterëve të Forcave të Armatosura ka kryer 3 misione fluturimi për
transport ndihmash humanitare në komunën Kala e Dodës të Dibrës dhe në komunën Trebinjë të Pogradecit.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





