

Foto ilustruese
Prishtinë, 20 shkurt 2012, NOA- Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një deklarate të ditës së sotme shprehet se Kryeministri Hashim Thaçi hoqi personalisht dorë nga Republika.
“Deklarata e djeshme e Kryeministrit nuk ka as bazë ligjore dhe as bazë kushtetuese në
Republikën e Kosovës. Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës është antikushtetuese.
Kushtetuta e Kosovës e definon Kosovën si Republikë pa fusnotë. Ditë më parë, kryeministri i Kosovës tha që nuk do të hiqet fjala Republikë nga emërtimi i shtetit tonë dhe se nuk vijnë në shprehje fusnotat dhe Rezoluta 1244. Dje, ai e deklaroi saktësisht të kundërtën. Qartazi kemi të bëjmë me një kryeministër jo serioz dhe të pasinqertë. Pasi që ne nuk jemi mbretëri, pa dyshim që nuk mund të ketë pavarësi të Kosovës pa pasur Republikë të Kosovës. Heqja e Republikës është zhbërje e pavarësisë. Në vend se në 4-vjetorin e shpalljes së pavarësisë të krenohemi me sovranitetin e arritur, ekonominë e zhvilluar dhe mirëqenien e përmirësuar, kryeministri po e shpall heqjen e Republikës”, shprehet Vetëvendosje, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ndër të tjera theksohet se Thaçi po kthen vendin në të kaluarën dhe po i bashkohet plejadës së politikanëve nga e kaluara të cilët e zbrisnin statusin e Kosovës dhe ia ndryshonin Kosovës për të keq rendin juridik e kushtetues.
Sakaq kjo lëvizje thekson se Kryeministri i Kosovës duhet ta tërheqë këtë deklaratë të tijën dhe se Qeveria e Kosovës nuk duhet ta pranojë këtë qëndrim disfatist të kryeministrit, pasi ky qëndrim personal i Kryeministrit nuk është vendim i qeverisë së Kosovës dhe nuk rrjedh nga ndonjë mbledhje e qeverisë së Kosovës.
Sipas Vetëvendosjes, Kryeministri i Kosovës po i plotëson kërkesat e Serbisë për Kosovën edhe pse paguhet nga qytetarët e Kosovës që t’i plotësojë kërkesat e qytetarëve të Kosovës e jo të Serbisë.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





