

Kopenhagen, 20 shkurt 2012, NOA- Në kuadër të vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë aktivitete të shumta po bëhen në ambasadat shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Danimarkë dhe në Bernë të Zvicrës.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Konsullata e Përgjithshme në Nju Jork ka zhvilluar dy aktivitete: Shfaqje e filmit amerikano-shqiptar, Falja e Gjakut si dhe Koncerti i Muzikës klasike me artistë profesionistë dhe talente të reja.
Me 18 Shkurt 2011 në “American Theater”, u shfaq filmi shqiptaro – amerikan “Falja e Gjakut”, fitues i një sërë çmimesh ndërkombëtare. Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të spikatur të komunitetit shqiptar në SHBA, drejtues shoqatash, organizatash e figura publike.
Po më 18 Shkurt 2011, në Manhattan, Nju Jork, u organizua “Koncerti i Muzikës Klasike me Artistë Profesionistë dhe Talente të Reja”, një bashkëpunim i Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork me televizionin e diasporës Alba Life, ku të pranishëm ishin përfaqësues të komunitetit shqiptar, trupi diplomatik, përfaqësues të klubeve të artit, drejtues të komuniteti, etj.
Sakaq në kuadrin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin Pori të rajonit Satakunta, Finlandë u hap ekspozita fotografike “Marubi”.
Në ceremoninë e hapjes, ku merrnin pjesë të ftuar nga fusha e artit, shtypit si dhe miq të Shqipërisë, Konsullja e Përgjithshme e Nderit, znj. Liliana Verdha, foli për historinë e popullit tonë, luftrat e përpjekjet për liri, pavarësi dhe për një Shqipëri të lirë e demokratike. Ajo gjithashtu u ndal në luftën e përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e pavarësi, të cilat u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së saj në 17 shkurt 2008.
Ekspozita "Marubi", e sjellë në Finlandë nga « Muzeu Finlandez i Kulturave Botërore » do të qëndrojë e hapur në Muzeun e qytetit Pori, deri më 15 Prill 2012.
Në vijim ambasadori i Shqipërisë në Danimarkë, Arben Cici prezantoi në datën 16 shkurt 2012, turizmin shqiptar në Shkollën e Bisnesit të Kopenhagenit. Prezantimi u shoqërua me pamje dhe video mbi potencialet natyrore që ka Shqipëria në fushën e turizmit dhe përspektiva e zhvillimit të tij në vitet në vazhdim.
Ndër të tjera Ambasada e Shqipërisë në Bernë, në bashkëpunim me shoqatën “Miqtë e Yad Vashem” dhe me Muzeun Kombëtar të Liechtensteinit, organizuan në datën 15 shkurt 2012 në kryeqytetin e vendit, Vaduz, aktivitetin “Mbrëmje për Shqipërinë”. Mbrëmja e organizuar në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u zhvillua në mjediset e Muzeut Kombëtar ku vazhdon të jetë e hapur ekspozita “Besa”.
Ndër të tjera Ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mehmet Elezi, ftoi pjesëmarrësit për ta vizituar vendin si turistë dhe më pas për të investuar në Shqipëri. Veprimtaria u pasqyrua edhe me fotografi në shtypin vendas dhe në shtypin shqiptar që botohet në Zvicër, si në gazetat Fakti Ditor, Tung –CH, në rrjetin elektronik alb-info etj.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





