

Prishtinë, 20 shkurt 2012, NOA – Pas replikave në distancë Kosovë-Beograd për formulën e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ripërsëriti se pjesëmarrja e Kosovës në forumet rajonale duhet të bëhet me një fusnotë të balancuar, në të cilën të përfshihet Rezoluta 1244, Deklarata e Pavarësisë dhe Opinioni i GJND-së, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ministrja deklaroi se kjo është një zgjidhje e pranueshme.
Në një intervistë për “Epoka e Re”, zonja Çitaku theksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar maksimalisht për arritjen e marrëveshjes për bashkëpunimet rajonale, duke nënvizuar se për këtë formulë kryeministri Thaçi ka marrë mbështetje të fuqishme nga zëvendëssekretari amerikan William Burns.
“Qeveria e Kosovës ka marrë garanci nga zëvendëssekretari i Shtetit se SHBA-ja në asnjë rrethanë nuk do të ofrojë apo mbështesë propozime dhe zgjidhje të cilat do t’i vënin në pikëpyetje pavarësinë, integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, u shpreh ministrja Çitaku, duke theksuar se Qeveria e Kosovës nuk do të marrë asnjë vendim nën presion.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





