

Teheran, 19 shkurt 2012, NOA – Irani ka bllokuar eksportet e naftës me kompanitë franceze dhe ato britanike.
Njoftimi është bërë nga ministria iraniane e naftës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Naftën tonë do t’ua shesim kompanive të reja dhe jo më atyre britanike dhe franceze”, deklaroi për agjencinë shtetërore një përfaqësues i lartë i Ministrisë iraniane të naftës.
Teherani kishte paralajmëruar edhe më parë vendet evropiane për bllokimin e eksporteve të naftës, nëse Brukseli do të miratonte embargon ndaj Iranit.
Ky paralajmërim nuk u mor parasysh nga 27 vendet e bllokut, por gjithsesi krijoi shqetësim në Bruksel, për pasojat, që mund të ketë një bllokim e importeve të naftës nga Irani.
Vendosja e embargos më 23 janar të këtij viti nga Brukseli, duket se ka detyruar Iranin të ndërmarrë këtë hap ekstrem duke bllokuar fillimisht eksportet e naftës me kompanitë franceze dhe britanike.
Ndërprerja e eksporteve të naftës nga Irani drejt vendeve evropiane mund të sjellë një rritje të çmimit të arit të zi në tregun europian, për pasojë edhe në Shqipëri, e cila importon pjesën më të madhe të naftës nga vendet europiane.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





