

Rodos, 19 shkurt 2012, NOA – Ishulli i Rodosit në Greqi është tronditur nga një ngjarje e pazakontë, në të cilën është protagonist një shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi.
Bëhet fjalë për një 52-vjeçar, i cili së bashku me një shtetas bullgar prostituonin dhe keqtrajtonin prej vitit 2010 një 31 vjeçare bullgare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Dy të sipërpërmendurit u ndaluan të dielën nga policia e Rodosit, pas denoncimit të vajzës 31-vjeçare.
Sipas dëshmisë së saj, dy të arrestuarit e mbanin të mbyllur prej dy vjetësh në një banesë në Rodos, ku dhe e shfrytëzonin seksualisht për të përfituar para.
Veç kësaj, shqiptari 52-vjeçar dhe bullgari 39-vjeçar ushtronin vazhdimisht dhunë mbi 31-vjeçaren bullgare.
Gjithçka doli në dritë pas arratisjes nga banesa të shtetases bullgare dhe denoncimit të saj në polici.
31-vjeçarja rrëfeu me detaje vuajtjen që i kishin shkaktuar dy emigrantët.
Ajo i tha policisë se që prej gushtit të 2010-ës e deri në dhjetor dhunohej dhe prostituohej vazhdimisht nga bashkëkombasi i saj bullgar.
Më pas ai ia shiti 31-vjeçaren mikut të tij shqiptar, i cili vijoi ta shfrytëzonte seksualisht madje ta përdhunonte dhe ta keqtrajtonte.
Ngjarja ka shokuar krejt opinionin publik në ishullin e Rodosit si dhe është komentuar gjerë në media.
Dy të akuzuarit për shfrytëzim prostitucioni u ndaluan nga policia e Rodosit dhe së shpejti pritet të dalin para gjykatës.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





