Transmetuar më 19-02-2012, 17:15

Kukës, Shkodër, Dibër, Librazhd, Korçë, 19 shkurt 2012, NOA Update – Përmirësimi i motit ditët e fundit dhe ndërprerja e reshjeve të dëborës ka çliruar nga dëbora shumë prej zonave të izoluara prej mëse 18 ditësh.

Ndërsa një pjesë e mirë e rrugëve nacionale janë zhbllokuar, mbeten ende të mbuluara nga dëbora e trashë disa fshatra në komuna të thella të Pukës, Dibrës, Shkodrës, Tropojës, Librazhdit e Korçës, që ndodhen në veri, verilindje dhe juglindje të vendit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Çlirimi i rrugëve nga dëbora ka bërë që operacionet humanitare për banorët e këtyre komunave të bllokuara të vijojnë më lehtësisht.

Nën dëborë mbeten ende Vermoshi dhe Dukagjini në Malësinë e Madhe në qarkun e Shkodrës ku vijojnë operacionet humanitare nga ajri për shpërndarjen e ndihmave dhe barnave për banorët e izoluar nga dëbora prej mëse dy javësh.

Dibra, punohet për hapjen e rrugëve

Situata e rrugëve në qarkun e Dibrës është përmirësuar ndjeshëm falë motit të ditëve të fundit ku dielli i ka zënë vendin reshjeve të dëborës.

Banorët e qarkut të Dibrës, sidomos në komunat më të bllokuara në Ostren e Trebishtë thonë se si dimrin e këtij viti kishin kohë që nuk e kishin jetuar.

Shqetësim për ta janë rrugët e bllokuara nga dëbora e trashë dhe mungesa e komunikimit, që vështirësojnë sigurimin e ushqimit.

Aksionet për hapjen e rrugëve kryesore, të cilat lidhin Peshkopinë me Librazhdin dhe Peshkopinë me Kukësin kanë vijuar me intensitet të plotë.

Shtabi i emergjencës në këtë qark bën me dije se hapja e segmentit të rëndësishëm Peshkopi-Kala e Dodës do të nxirrte nga harta e izolimit katër komuna të rrethit të Dibrës.

Në rrethet e Dibrës dhe Bulqizës kanë punuar për hapjen e rrugëve të zaptuara nga dëbora më shumë se 40 borëpastruese dhe fadroma që kanë çliruar rrugët lidhëse të qendrave të komunave me qytetin e Peshkopisë.

E bllokuar vijon të mbetet komuna malore e Lurës, ndërsa po punohet për hapjen e aksit që e lidh atë me Rrëshenin dhe komunën Selishtë.

Puka, më e prekura nga reshjet e dëborës  

Rrethi i Pukës në verilindje ka qenë një nga zonat më të mbuluara nga dëbora e dendur e fillimit të shkurtit ku shumë fshatra e komuna u pushtuan nga dëbora që arriti në afro tri metra trashësi.

Komuna Gjegjan me 10 fshatra dhe 5000 banorë ishte një nga më të izoluarat.

Në krahasim me ditët e mëparshme kur ajo ishte e pakalueshme, rruga kryesore që të çon për në Bashkinë Fushë Arrëz tashmë është e kalueshme nga mjetet me zinxhirë, ndërkohë që po punohet për hapjen e rrugëve lidhëse të tre fshatrave të bllokuar në këtë zonë.

Nën kontroll po mbahet edhe aksi nacional nga segmenti i superstradës së kombit- Fushë Arrës.

Gjithashtu shtabi i emergjencës bën me dije se borëpastrueset po punojnë edhe në hapjen e lagjeve të qytetit, ku trashësia e borës ishte 2 metra.

Mjekët e spitalit të Pukës falë një aksioni të emergjencës i dhanë ndihmën e duhur një vajze të vogël 12-vjeçare nga Fushë Arrësi, e cila vuante nga apendesiti.

Një tjetër komunë e izoluar ishte edhe Qerreti, që numëron 4000 banorë dhe 12 fshatra, të cilat pas izolimit të plotë nga dëbora tashmë po normalizohen edhe pse vështirësitë nuk mungojnë.

Shtabi i emergjencës vijon ende punën për hapjen e rrugëve në këto zona të Pukës.

Librazhdi, të bllokuara tre fshatra në Stëblevë

Komuna e Stëblevës në Librazhd është një nga zonat më të izoluara në juglindje të vendit, e goditur nga reshje të shumta dëbore.

Trashësia e borës në Stëblevë arriti në më shumë se tre metra.

Edhe pse puna për hapjen e rrugëve të kësaj komune vijonte për ditë, reshjet e dëborës prapësonin punën duke bërë që borëpastrueset të rinisnin nga fillimi hapjen e tyre.

Tashmë po punohet ende për hapjen e rrugës Fushë Studë-Stëblevë, ndërkohë që të bllokuara nga dëbora mbeten tre fshatra të kësaj komune Sebishti, Borova dhe Zabzuni.

Bllokimi i rrugëve pamundësonte edhe shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe veshmbathjeve e medikamenteve për banorët e izoluar.

Nga operacionet humanitare gjatë orëve të fundit janë shpërndarë rreth 100 pako me ndihma ushqimore.

Edhe në qarkun e Korçës të bllokuara vijojnë të mbeten të bllokuara dy fshatra në Voskopojë, ndërkohë që pa energji elektrike janë komuan Lekas, Çlirim, Dardhas, Novoselë, Progër.

Gjendja e emergjencës natyrore vijon ende në të gjitha zonat e bllokuara nga dëbora.

Me përmirësimin e motit pritet që dëbora të shkrijë andaj shtabet e emergjencës po mbajnë nën kontroll situatën.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit