

"Bllokimi i zonave malore është pasqyra më e qartë e mendësisë që ka dhe e forcës që i ka mbetur kësaj qeverie në vitin e saj të shtatë. Ajo ka dhënë për gjendjen e jashtëzakonshme katërqind mijë dollarë (një media proqeveritare e njoftonte 400 milionë lekë, duke e lenë me qëllim të paspecifikuar se ishin të vjetra). Kjo është sa për të larë gojën, madje më keq, është si një lëmoshë përbuzëse në raport me hallin dhe nevojat e shtetasve të rrezikuar"…
Nga Preç Zogaj
Dimri, kështu siç ka ardhur në zonat malore të vendit ishte dhe është diçka e pritshme. Jeta njerëzore është ngulur në ato zona prej shekujsh bashkë me borën, thëllimin, akujt, reshjet dhe të ftohtit dimëror. Ka kohën e vet, thotë populli kur bora mbulon malet dhe temperaturat zbresin disa gradë nën zero. Të njëjtën gjë themi në verë, kur të merr frymën vapa e zhegut. Kështu janë stinët në brezin tonë klimatik. Çrregullimet e përkohshme për shkak të efektit serrë apo ndonjë arsyeje tjetër kalimtare nuk e kanë prishur e nuk do ta prishin rregullin e gjithëkohshëm të vitit katërstinor me pranverën pranverë, verën verë, vjeshtën vjeshtë e dimrin dimër. E papritur pra nuk është kur dimri ia beh me reshje dhe me borë. E kundërta është e papritur. Këto dekadat e fundit stinët e kanë mashtruar disi vëmendjen e njerëzve duke hyrë nga pak te njëra-tjetra. Por kjo nuk ka qenë dhe nuk është arsye që të flenë mbi dafina edhe ata që kanë për detyrë të vigjilojmë mbi rreziqet që kërcënojnë publikun, në radhë të parë qeveria dhe pushteti lokal. Aq me tepër kur dimri ka dhënë prej disa vitesh sinjale të qarta se po kthehet në rregullsinë e shekujve.
Në qoftë se dikush nuk ka pasur veshë të dëgjojë këtë mesazh autoritar të zakoneve, duhet të kishte dëgjuar parashikimet dhe paralajmërimet e freskëta të stacioneve meteorologjike me prestigjioze të Europës. Që prej mesit të janarit e këndej në Italinë fqinje është njoftuar sistematikisht dhe me saktësi një dyndje e madhe dëbore dhe të ftohti në gjithë brezin klimatik që përfshin edhe Shqipërinë. Në kohën tonë parashikimi i motit nuk është profeci. Satelitët që vëzhgojnë Tokën dhe operatorët profesionistë të këtij vëzhgimi non stop japin informacione të sakta deri për ditën, orën apo edhe për një fraksion ore se ku do të ketë reshje, si do të jenë ato, sa do të zgjasin, e tjerë. Befasi nga qielli nuk ka më. Vetëm kush gënjen veten kot apo mendon se mund të gjejë injorantë për të gënjyer.
Presupozohet se qeveria shqiptare ka pasur informacion të saktë për reshjet e këtij muaji. Mirëpo sjellja e saj në tërësi të krijon përshtypjen se ajo nuk ka lidhje as me satelitët, as me meteorologët, as me vetë stinën e dimrit si të tillë. Qeveria duket e befasuar nga kjo goditje e fortë e motit të keq. Ministrat dhe zyrtarët e lartë të shumicës i mëshojnë shumë në deklaratat e tyre këtij aspekti: befasisë. Oh, natyra është e verbër me trillet e saj! Kush e priste gjithë këtë tmerr?!
Është një mënyrë hileqare për t’i bërë bisht përgjegjësisë, duke e “zhytur” në metrat e dëborës që ka mbuluar gjithë veriun. Të kuptohemi: askush nuk i kërkon qeverisë të ndalojë dëborën, kjo është e pamundur. Gjithkush e di ndërkaq se moti nuk lidhet me litar. Por duhet ta themi se jemi në limitet e së parashikueshmes dhe prandaj qeveria duhet të kishte marrë masë me parë për të mos e lenë gjendjen të rëndohet në këtë shkallë. Së paku për mbajtjen në gatishmëri të rrugëve, për furnizimin me ilaçe dhe ushqime. Kemi një batalion me zyrtarë dhe punonjës që paguhen nga taksapaguesit vetëm për të mbajtur nën kontroll situatat e vështira, emergjencat e mundshme. Nuk mund të bindet njeri se qeveria e një vendi malor me alpe, me goxha teknicienë rreth e rrotull saj, të kapet në befasi në mes të muajit shkurt nga moti. Por qeveria jonë ka ecur si në atë fabulën kur gomarit i kishte dalë para ujku dhe ky kishte mbyllur sytë dhe thoshte “bëjë, o zot ëndërr”. Me fjalë të tjera, ka shpresuar të dështojnë parashikimet e satelitëve dhe meteorologëve, pasi e ka ditur se do të kapet mat me dëborën e parë. E vërteta është se kjo qeveri e vetëpagëzuar si e shërbimeve dhe shërbesave ka goditur keq vitin e kaluar shërbimin e mirëmbajtjes së rrugëve. Duke i bërë hesapet pa hanxhinë me shpenzime me theks propagandistik apo klientelist dhe duke injoruar prioritetet jetësore, kjo qeveri e ka çuar drejt vdekjes shërbimin e emergjencave civile, jo vetëm për reshjet, por edhe për zjarret, shembjet e tjerë. Bllokimi i zonave malore është pasqyra më e qartë e mendësisë që ka dhe e forcës që i ka mbetur kësaj qeverie në vitin e saj të shtatë. Ajo ka dhënë për gjendjen e jashtëzakonshme katërqind mijë dollarë (një media proqeveritare e njoftonte 400 milionë lekë, duke e lenë me qëllim të paspecifikuar se ishin të vjetra). Kjo është sa për të larë gojën, madje më keq, është si një lëmoshë përbuzëse në raport me hallin dhe nevojat e shtetasve të rrezikuar. Po të merret parasysh numri i njerëzve në zonat e goditura – rreth katërqind mijë – dhe po të llogaritet kohëzgjatja dhjetëditore e bllokimit i bie që çdo banor të përfitojë sa miza në fletë, siç thotë populli. Nuk ka dyshim se shumica e familjeve nuk kanë ndenjur në mëshirë të fatit dhe qeverisë. I kanë marrë vetë masat për sa i përket ushqimit. Por askush nuk mund ta zgjidhë vetë hapjen e rrugëve. Prandaj shohim kryetarë komunash që apelojnë për mjete dhe karburant. Qeveria duhet t’u përgjigjet atyre . Le të marrë pjesën më të shëndoshë e më të mundshëm për momentin të planit të opozitës. Lë të fusë edhe të vetat. Le të kërkojë ndihmë nga vendet partnere të NATO-s. Dhe, së fundi, le të mos harrojë se dielli që do të shndrisë pas pak ditësh mbi bardhësinë e maleve tona pritet të na bëjë peshqesh fazën e dytë të emergjencës: përmbytjet. Skena e goditjes kësaj radhe do të zhvendoset nga mali në fushë. Askush nuk mund të thotë se nuk e dinim.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





