

Shkodër, 18 shkurt 2012, NOA – “Arrest me burg” është masa e sigurisë për 12 personat e arrestuar për vjedhje dhe vënien e eksplozivit në dy shtyllat e tensionit të lartë të Kallmet të Lezhës, të kapur falë operacionit policor të koduar “Grabitqari”, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Gjashtë nga personat e kapur në këtë aksion akuzohen për vënien e një sasie tritoli në dy shtyllat e tensionit të lartë në fshatin Kallmet të Lezhës, më 30 dhjetor të vitit 2011.
Për vendosjen e tritolit janë akuzuar shtetasit Besmir Lugina, 25 vjeç, banues në Balldren në Lezhë; Xhevahir Lugina, 23 vjeç, banues në Balldren të Lezhës, Mhill (Nikollë) Thepi, 20 vjeç, banues në fshatin Spathar, Shkodër; Gazmir Dedaj, 22 vjeç , banues në fshatin Torovicë të Lezhës; Aleksander Boka, 28 vjeç, banues në fshatin Balldren në Lezhë; Ernest Preçi, 47 vjeç, banues në fshatin Juban në Shkodër.
Të gjashtë personat u arrestuan në tri ditë më parë, 15 shkurt në një operacion të përbashkët mes Policisë së Shkodres dhe asaj të Lezhës.
Këta shtetas dhe gjashtë të tjerët si Agron Thepi, 21 vjeç banues në fshatin Spathar, Shkodër; Ndue Ara, 25 vjeç, banues në Balldren, Lezhë; Nikolin Pjetri, 25 vjeç, banues në Laç në Vau i Dejës, Shkodër; Dedë Thepi, 25 vjeç, banues në fshatin Spathar, Shkodër; Pjetër Huba, vjeç 25, banues në fshatin Mnelë, Shkodër; Gjin Marku, 24 vjeç, banues në fshatin Kryebushat, Shkodër akuzohet se kanë kryer edhe një sërë vjedhjesh. Ndaj të gjithë të pandehurve Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale të vjedhjes, vjedhjes me armë dhe vjedhjes me dhunë, si dhe të veprës penale shkatërrim i pronës dhe kryerje të akteve terroriste.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





