

Tiranë, 17 shkurt 2012, NOA/ Arjola Ymeraj- Pikërisht sot kur Kosova festonte ditëlindjen e katërt si shtet i Pavarur, Shqipëria i dhuroi zyrtarisht Ambasadën në Tiranë dhe një rrugë në mes të qytetit e cila do të mbajë emrin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova.
Ndërsa vetë Kosova e krerët e vendit festonin së bashku me qytetarët, një festë më vete emocionuese e shtrirë gjatë gjithë ditës u mbajt edhe në kryeqytetin shqiptar.
U nis që në orët e para të mëngjesit kur me praninë e kryekomunarit të Prishtinës Isa Mustafa u inaugurua rruga në afërsi të Shallvareve që do të mbajë emrin e liderit vizionar që punoi për Pavarësinë e Kosovës, për të vijuar aktivitetet gjatë gjithë ditës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaroi sot në ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Ibrahim Rugova” se, “Rugova proklamoi Kosovën e pavarur. Ky vizion i Presidentit Rugova u bë platformë e gjithë qytetarëve të Kosovës”.
Ndërsa në Kosovë Presidentja, Atifete Jahjaga përshëndeti dhe uroi para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku u organizua një paradë për nder të kësaj dite dhe mysafirëve të tjerë, ku çmoi veprën e të gjithë atyre që kanë punuar dhe luftuar për të arritur pavarësinë, festa e vërtetë duket se kulmoi në Tiranë.
Prag mbrëmjen e sotme u bë inaugurimi zyrtar i Ambasadës së Kosovës e cila vendoset në zemër të kryeqytetit përballë Piramidës dhe në krah të Ambasadës Ruse.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kryeministri Thaçi u shpreh se Shqipëria dhe Kosova janë një komb por dy shtete dhe kështu do vijohet të ecet drejt Bashkimit Europian dhe se tani po ndodh ajo që i ka munguar Kosovës.
Më tej ai ka falenderuar Kryeministrin Berisha dhe gjithë kombin shqiptar për mbështetjen e dhënë. Sakaq Kryeminsitri Berisha e cilësoi këtë si një moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve. “Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, sikundër ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, kanë mision të dyfishtë, kanë mision forcimin e pozitës ndërkombëtare të dy vendeve, bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, por kanë misionin tjetër kombëtar, të kapërcimit me vendosmëri të të gjitha pasojave të krijuara gjatë një periudhe të gjatë ndarjesh, kufizimesh e bllokimesh të pamerituara. Unë jam i bindur se në udhëzimet e Qeverisë së Kosovës kjo ambasadë së bashku me ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në të ardhmen e përbashkët që meriton kombi shqiptar dhe dy vendet”, u shpreh Berisha, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për bashkëpunim dhe i tha Kryeministrit Berisha se aktualisht po përcaktohet trualli në qendër të Prishtinës për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë.
Më herët gjatë ditës së sotme urime për ditëlindjen e 4-t të Pavarësisë janë shprehur nga gjithë klasa politike shqiptare si Presidenti Bamir Topi, kryesocialisti Edi Rama, Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Aleanca Kuq e Zi etj.
Një dhuratë e bukur shtetit të pavarur të Kosovës i erdhi edhe nga Uganda e cila i dhuroi sot pikërisht deklaratën për njohjen e Pavarësisë, çka çoi në 88 numrin e vendeve që e njohën Kosovën si shtet.
Thaçi: Kosova po konsolidohet, por Pavarësia u shpall me flamurin Kuq e Zi
Ndonëse vetëm pak orë më parë u çel zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shqipëri, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë një pritje të krerëve të shtetit dhe personaliteteve të ndryshme në ambientet e saj. “Ju përshëndes dhe iu falenderoj për këtë pjesëmarrje. Kryeministër Berisha, në emër të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj iu falënderoj për nderin që na bëtë duke i dhuruar Kosovës objektin ndër më modernët për ambasadën tonë, ju falënderoj si Shqipëri dhe personalisht ju Sali Berisha. Kjo ambasadë do e afrojë me tepër Kosovën dhe Shqipërinë përmes një rruge të vetme, përmes Rrugës së Kombit”, u shpreh Thaçi, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Ai tha se sot është një ditë e gëzueshme për të gjithë dhe se sonte ka festë çdo familje në Shqipëri e Kosovë, sot ka festë në çdo kryeqytet në vendet e Bashkimit Europian, SHBA e kudo ku jetojnë shqiptarë, sot është festa e shqiptarëve sepse pavarësia e Kosovës e fuqizoi kombin shqiptar. Thaçi përsëriti se Kosova dhe Shqipëria janë një komb dhe dy shtete, dhe se bashkarisht do vijojnë të të jenë pjesë e NATO-s dhe BE. Kryeministri kosovar theksoi se, Kosova tani po konsolidohet pasi edhe sot u mor lajmi e mirë se ka ardhur njohja e re nga Uganda duke çuar në 88 vendet që njohin këtë shtet. “Ne po ndërtojmë një vend multietnik, po ndërtojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, falënderoj gjithë shtetet që kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Orientimi ynë perëndimor është ndërtimi i Kosovës demokratike, ne kemi sfida dhe vështirësi por jam i bindur se do të fitojmë. E veçanta e 4- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është se shënohet në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, prandaj urime të gjithë shqiptarëve, sepse me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ka festë kudo ku jetojnë shqiptarët", deklaroi Thaçi. Në këtë linjë ai theksoi se Pavarësia e Kosovës u shpall me flamurin Kuq e Zi, të Skënderbeut, Ismail Qemalit, Adem Jasharit e UÇK-së.
Berisha: Mirënjohje për shqiptarët, në momente kritike reaguan si një komb i vetëm
Në vijim të aktivitetit në ambientet e inauguruara të Ambasadës së Kosovës në Tiranë, si dhuratë nga pala shqiptare për 4 vjetorin e Pavarësisë, fjalën e rastit e mbajti edhe Kryeministri shqiptar Sali Berisha. Kryeministri shqiptar u shpreh se, kjo e sotmja është një ditë kur shqiptarët përkulen me nderimin më të madh ndaj atyre burrave e grave që flijuan jetën e lirinë e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar për Kosovën e lirë. “Mirënjohje për gjithë shqiptarët që në momente kritike ditën të reagojnë si një komb i vetëm, pasi sot është një ditë e veçantë sepse kjo shënon fundin e një sage të papërshkruar vuajtjesh, padrejtësish dhe sakrificash”, u shpreh Berisha, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Sipas tij, 17 shkurti i vitit 2008 shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën por dhe për gjithë shqiptarët, duke theksuar se sot është një ditë krenarie për çdo shqiptar. Në vijim kreu i Qeverisë shqiptare uroi qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës për këtë ditë të bekuar, ndërsa shprehu vendosmërinë e gatishmërinë që të dy vendet do punojnë së bashku për të ardhmen drejt Bashkimit Europian.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





