Transmetuar më 17-02-2012, 20:04

Tiranë, 17 shkurt 2012, NOA- (Update) Në vijim të aktivitetit në ambientet e sapo inauguruara të Ambasadës së Kosovës në Tiranë, si dhuratë nga pala shqiptare për 4 vjetorin e Pavarësisë, fjalën e rastit e mbajti edhe Kryeministri shqiptar Sali Berisha.

Kryeministri shqiptar u shpreh se, kjo e sotmja është një ditë kur shqiptarët përkulen me nderimin më të madh ndaj atyre burrave e grave që flijuan jetën e lirinë e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar për Kosovën e lirë.

“Mirënjohje për gjithë shqiptarët që në momente kritike ditën të reagojnë si një komb i vetëm, pasi sot është  një ditë e veçantë sepse kjo shënon fundin e një sage të papërshkruar vuajtjesh, padrejtësish dhe sakrificash”, u shpreh Berisha, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sipas tij, 17 shkurti i vitit 2008 shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën por dhe për gjithë shqiptarët, duke theksuar se sot është një ditë krenarie për çdo shqiptar.

Në vijim kreu i Qeverisë shqiptare uroi qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës për këtë ditë të bekuar, ndërsa shprehu vendosmërinë e gatishmërinë që të dy vendet do punojnë së bashku për të ardhmen drejt Bashkimit Europian.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit