

Tiranë, 17 shkurt 2012, NOA- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, firmosi sot me përfaqësuesit e dy kompanive italo- shqiptare kontratat e Bashkëfinacimit për Projektet CDM në sektorin e energjisë, në zbatim të “Marrëveshjes së Bashkëpunimit pë Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Reduktimin e Emetimeve të Gazit me Efekt Serë” ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministrisë Italiane të Mjedisit, Tokës dhe Detit të Italisë, me një vlerë kumulative financimi prej 2.7 milionë euro grant.
Siç informon NOA.al, këto kontrata të lidhura janë në zbatim të “Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Reduktimin e Emetimeve të Gazit me Efekt Serë”, të lidhura me Ministrinë e Mjedisit, Tokës dhe Detit të Italisë, me anë të së cilës qeveria italiane ka akorduar një shumë grant prej 5 milion Euro, me qëllim bashkëfinancimin e projekteve që do të zbatohen në vendin tonë si projekte CDM (Clean Development Mechanism), kryesisht në drejtim të Efiçiensës së energjisë dhe për Energjitë e rinovueshme.
Projektet CDM, parashikohen në procedurat e Prokollit të Kiotos, ku Shqipëria është palë nënshkruese e aneksit B, (që do të thotë se nuk ka detyrime të drejtëperdrejta për reduktimin e emetimeve të gazit me efekt serë, por mund të bashkëpunojë me vendet nënshkruese të Aneksit A (që kanë detyrime të drejtpërdrejta reduktimi të gazeve me efekt serë brenda një afati dhe mase të caktuar) duke zhvilluar bashkërisht projekte CDM. Firmosja e kontratave u parapri nga një punë përgatitore dhe serioze e me përgjegjësi mes palëve.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministri Naço falenderoi qeverinë italiane për ndihmën e dhënë vendit tonë, në projektet e saj ambicioze energjetike.
Në vijim ai garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të sigurojë mbështetjen dhe angazhimin maksimal për çdo investitor të huaj në drejtim të realizimit të projekteve të tyre në Shqipëri.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





