

Tiranë, 17 shkurt 2012, NOA- Gjatë vizitës së zhvilluar ditën e sotme mes kryebashkiakut Lulzim Basha dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës Isa Mustafa u theksua fakti se së shpejti do të ketë marrëveshje për bashkëpunim mes dy kryeqyteteve.
Basha uroi drejtpërdrejtë zotin Mustafa për Pavarësinë e Kosovës dhe vlerësoi përpjekjet që ai dhe stafi i tij po bëjnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës.
Siç informon NOA.al, në vijim të takimit dy bashkëbiseduesit nënvizuan nevojën dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës në fushën e artit, kulturës, sportit e në mënyrë të veçantë atë ekonomike.
Një plan konkret bashkëpunimi do të konkretizohet me një marrëveshje të detajuar, e cila do të firmoset nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe ai i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, gjatë vizitës që zoti Basha do të zhvillojë së shpejti në Prishtinë, pas ftesës së bërë nga, kryekomunari i Prishtinës.
Mustafa u shpreh se, “Kemi nevojë për këmbime të përvojave dhe mendimeve, por edhe të ekspertizës mes Tiranës dhe Prishtinës, sepse jemi shumë afër, kemi edhe vija shumë të lehta tani, të komunikimit dhe me Tiranën ne tani mund të komunikojmë siç komunikojmë me çdo shtet në Kosovë dhe ju me çdo qytet tjetër në Shqipëri”.
Ndër të tjera Basha ka biseduar me homologun e tij për organizimin e Asamblesë së të gjitha njësive vendore shqiptare e cila do t’i kontribuojë vendosjes së një bashkëpunimi më të ngushtë mes tyre.
“Sikundër kemi folur edhe më parë, nënvizuam nevojën për të bashkërenduar jo vetëm midis Tiranës dhe Prishtinës, por midis gjithë njësive vendore në Ballkan e më tej, të kryesuara nga shqiptarë, për të promovuar sa më shumë vlerat unike të qytetërimit shqiptar, vlerat e mikpritjes, tolerancës, qëndresës dhe inovacionit, nëpërmjet një Asambleje të të zgjedhurve vendorë shqiptarë, të cilët do të angazhohen konkretisht për të rritur e zhvilluar bashkëpunimin në fushën ekonomike, në fushën e artit, kulturës, duke sjellë më afër qytetarët të cilët qeverisen nga pushteti vendor, nga të zgjedhur shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Itali të Jugut apo kudo ku ka të zgjedhur shqiptarë apo qytetarë shqiptarë tek njësitë vendore”, tha Basha.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





