Transmetuar më 16-02-2012, 20:22

Prishtinë, 16 shkurt 2012, NOA- Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet Visar Ymerit u shpreh se 4 vite pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova ka bërë një hap para e dy hapa mbrapa.

Sipas tij, Kosova për herë të parë u njoh si vend i mëvetshëm nga shtete të rëndësishme të botës dhe se vendimi final i GjND-së për të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe sovran e fuqizoi këtë hap para, por u bënë edhe disa hapa prapa.

“Teksti i deklaratës së pavarësisë i shpallur në Kuvend më 17 shkurt 2008 përmban disa pika jashtëzakonisht problematike jehonën e të cilave po e jetojmë edhe sot dhe do ta jetojmë derisa të mos e ndryshojmë këtë kurs politik, dhe të cilat e bëjnë atë si një deklaratë shumë të përçudnuar të pavarësisë. Deklaratat e pavarësisë të shteteve anëtare të bashkësisë së shteteve të botës sot janë shprehje e vullnetit politik të popullit për liri dhe barazi kolektive me të tjerët dhe karshi të tjerëve. Deklarata e pavarësisë shpreh gatishmërinë politike të popullit për ta përbashkuar dhe organizuar fuqinë kolektive në një shtet me territor, rregullim institucional e politik të caktuar, përmes të cilave ai e realizon lirinë dhe të drejtat e barabarta”, u shpreh Ymeri.

Sipas tij, shprehja e vullnetit politik për të qenë pjesëtarë i kombeve dhe shteteve të lira nënkupton gatishmërinë politike për të marrë përsipër të gjitha obligimet reciproke që rrjedhin nga ky anëtarësim dhe se shprehja eksplicite e vullnetit politik për të qenë i lirë, e ka nënkuptimin implicit për gatishmërinë për t’i marrë përgjegjësit që rrjedhin nga kjo. Por ai theksoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e ka këtë parim të prapakthyer.

Në emër të Vetëvendosjes ai tha se, që në zanafillë shteti i Kosovës është menduar të jetë shtet i pabarabartë me të tjerët, pasi që prej shpalljes së pavarësisë shteti i Kosovës është quajtur sui generis duke e përjashtuar kështu nga rastet precedent të së kaluarës dhe arritjes së lirisë kolektive dhe pavarësisë për popujt dhe shtetet.

Ai deklaroi se Kosova ka mbetur në mëshirën e eksperimentit dhe eksperimentuesit, ku mund të provohet çdo gjë në mënyrë që të gjendet mënyra më e mirë e funksionimit.

“Sot jemi në katërvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë dhe Kosova është ende pa sovranitet, pa integritet territorial, pa ekonomi, me struktura ilegale të shtetit serb me privatizim të egër neoliberal, me varfëri dhe papunësi më të madhe në Evropë. Këto katër vite janë vite të humbura për Kosovën por jo edhe për politikanët të cilët sot janë më të pasur së kurrë më parë”, u shpreh përfaqësuesi i Vetëvendosjes Visar Ymeri.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit