

Tiranë, 16 shkurt 2012, NOA- Kryetari i Bashksië së Tiranës Lulzim Basha me rastin e 17 shkurtit, festës së Pavarësisë së Kosovës i ka dërguar një mesazh urimi Kryetarit të Komunës së Prishtinës Isa Mustafa.
Siç raporton NOA.al, Basha theksoi se që nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Prishtina ka njohur një progres të admirueshëm.
Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës:
I nderuar zoti Isa Mustafa, Kryetar i Komunës së Prishtine, që nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Prishtina ka njohur një progres të admirueshëm.
Për mua është kënaqësi e veçantë, që në emrin tim dhe të qytetarëve të Tiranës t’ju përcjell Juve dhe përmes Jush, të gjithë popullit të Prishtinës e mbarë Kosovës, urimet më të përzemërta, në përvjetorin e katërt të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Që nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Prishtina ka njohur një progres të admirueshëm. Ju, zoti Kryetar i Komunës keni arritur të implementoni standardet europiane të qeverisjes vendore, në administrimin e kryeqytetit të Kosovës. Katër vjet pas shpalljes së Pavarësisë, ju keni instaluar një model qeverisje, i cili është shembull në të gjithë rajonin, për respektin dhe shërbimin ndaj pakicave dhe bashkëjetesës mes tyre.
Ndërsa vazhdoni angazhimin tuaj, për të përmirësuar sa më shumë jetën e banorëve të Prishtinës dhe në këtë ditë feste për të gjithë shqiptarët, më lejoni t’ju garantoj se tek Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht, do të gjeni mbështetje dhe përkrahje, për të gjithë projektet tuaja.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





