Transmetuar më 16-02-2012, 15:09

Tiranë, 16 shkurt 2012, NOA – Një ditë pas mbylljes së referendumit të serbëve lokalë në veri të Kosovës, që vendosën me votë të mos njohin institucionet e Kosovës pikërisht në prag të kremtimit të katërvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Sali Berisha mbështet plotësisht qëndrimin e Qeverisë së Kosovës ndaj referendumit të paligjshëm të serbëve në Komunat e Veriut të Mitrovicës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Përmes një komunikate për shtyp, kreu i ekzekutivit shqiptar e cilësoi aktin e serbëve lokalë të pavlerë dhe asnjë pasojë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Ky akt i pavlerë dhe pa konsekuencë, për sa i përket integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, është vepër e strukturave paralele dhe qarqeve të Beogradit që i mbështetin ato. Ai ka si qëllim mbajtjen në rend dite të një skenari të rrezikshëm, që synon ndryshimin e kufijve ekzistues, sipas linjave të pastërta etnike në rajonin tonë”, theksoi kryeministri Berisha.

Shefi i qeverisë shprehet më tej se respektimi i kufijve aktualë të Ballkanit, është i një rëndësie themelore për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin Euroatlantik dhe Europian të kombeve dhe vendeve tona.

Referendumin e serbëve lokalë e kanë cilësuar të pavlefshëm edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë theksuar se zgjidhja për veriun e Kosovës nuk mund të vijë me referendume, por me konsultime e dialog.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit