Transmetuar më 16-02-2012, 12:21

Tiranë, 16 shkurt 2012, NOA Update – Pas ndërprerjes seanca e Kuvendit ka vijuar me dy diskutime nga opozita dhe mazhoranca për situatën e vështirë, në të cilën ndodhen mijëra banorë të izoluar nga dëbora në veri, verilindje e juglindje të vendit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Deputeti i PS-së Erion Braçe lexoi në Kuvend planin emergjent të masave dhe atë afatmesëm për kapërcimin e situatës së rëndë, në të cilën ndodhet vendi për shkak të motit të acartë.

Braçe deklaroi nga foltorja se në kushtet kur kryeministri nuk bën publike e përditëson të dhënat mbi situatën në zonat e bllokuar atëherë këtë sipas tij duhet ta bëjë opozita.

Deputeti socialist tha se plani emergjent kërkon identifikimin e kostove të emergjencës së krijuar nga moti për hapjen e rrugëve, kthimin në efiçencë të plotë të ujësjellsave në qytete, furnizim të menjëhershëm me ushqime dhe ujë, e barna mjekësore; alokimin e menjëhershëm prej buxhetit të shtetit të granteve për  bashkitë dhe komunat në emergjencë, fondeve të përcaktuara për ndërhyrje të menjëhershme e të qëndrueshme në rrugët rurale, rajonale apo të fshatrave, etj.

Ndërsa në planin afatmesëm afatmesëm kërkon të hartohet një hartë kombëtare e zonave me risk të lartë nga fatkeqësitë natyrore; përmirësimet ligjore që pagesat e përfitimeve të ndryshme sociale si pensione, pagesë e ndihmës ekonomike, pagesë e papunësisë, pagesë për personat me aftësi të kufizuar të kryhen çdo muaj nëntor për katër muaj rresht për periudhën nëntor – shkurt, etj.

Por, menjëherë pas tij e ka marrë fjalën kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi i cili deklaroi se plani i emergjencës së PS-së ka si qëllim të vonojë aksionin në ndihmë të banorëve të izoluar dhe është kundër tyre.

Në këtë suazë deputeti Patozi theksoi se Kuvendi nuk miraton plane veprimi, por ligje dhe vendime.

“Askush nuk po kërkon nga opozita që të bëjë sehir, por shënoni dhe kërkoni llogari për aksionin e qeverisë”, tha Patozi duke i kërkuar opozitës të mos e nxijë më shumë se ç’është situatën e zonave të bllokuara nga dëbora.

Kreu i grupit kuvendor demokrat nënvizoi se Rama po përpiqet të përfitojë nga fatkeqësia natyrore për të marrë vota.

“Shumë pika të planit të emergjencës të PS-së nuk kanë sot asnjë vlerë pasi janë tejkaluar nga shtabi i emergjencës. Është mëkat i madh të hedhësh baltë e jo borë mbi sakrificat që po bën shtabi i emergjencës për të mbrojtur motrat e vëllezërit në zonat e bllokuara. Është turp i madh që kur përmbytet Shkodra, Edi Rama shkon me varkë në Lezhë e kur pushtohet veriu nga dëbora bën sikur shpërndan ndihma në jug”, u shpreh kreu i grupit demokrat nga foltorja e Kuvendit.

Pas dy fjalimeve të mbajtura seanca plenare po vijon me rendin e ditës, ku do të diskutohen edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin Civil, për miratimin e të cilave kërkohet shumicë e cilësuar votash prej 3/5, si dhe disa projektligje të tjera.

 

Plani Emergjent i PS:

Identifikimi i kostove të emergjencës së krijuar nga moti;

Për:

Hapjen dhe mbajtjen hapur të rrugëve kombëtare; rrugëve që lidhin rrugët kombetare me qendrat e komunave; rrugëve që lidhin fshatrat me qendrat e komunave dhe rrugët kombëtare;

Hapjen dhe mbajtjen hapur të rrugëve të brendshme të qyteteve;

Kthimin në efiçencë të plotë të ujësjellsave në qytete, fshatra

Kthimin në eficencë të plotë të qëndrave shëndetësore

Furnizim të menjehershëm me ushqime dhe ujë (në sasi të mjaftueshme për dy muaj)

Furnizim të menjëhershëm me barna mjekësore të qendrave shendetësore dhe të sëmurëve kronikë (në sasi të mjaftueshme për dy muaj)

Furnizim të menjëhershëm me veshmbathje për fëmijë, pleq apo familjarë të vetmuar

Furnizim të menjëhershëm me gas, qymyr dhe dru zjarri (në sasi të mjaftueshme për 3 muaj)

Furnizim të menjëhershëm me bazë ushqimore, medikamente për bagëti (te imta e gjedhe) pjesë e ekonomisë familjare (në sasi të mjaftueshme për 3 muaj)

Për:

Dëmet e shkaktuara në rrugët kombëtare; rrugët që lidhin rrugët kombëtare me qendrat e komunave; rrugët që lidhin fshatrat me qendrat e komunave dhe rrugët kombëtare;

Dëmet e shkaktuara në rrugët e brendëshme të qyteteve, sistemin e ndriçimit publik

Dëmet e shkaktuara në rrjetin e ujësjellësave dhe të kanalizimeve të ujrave të bardha e të zeza në qytete e fshatra

Dëmet e shkaktuara në shkolla fillore, 9-vjecare e të mesme, në qytet e në fshat

Dëmet e shkaktuara në qendrat shendetësore në qytet e në fshat

Dëmet e shkaktuara në pritat malore mbrojtëse nga orteqet

Dëmet e shkaktuara në banesat e qytetarëve në qytet dhe të fshatarëve në fshat

Dëmet e shkaktuara në bagëti (të imta e gjedhe) si dhe në ekonominë bujqësore familjare

Dëmet e shkaktuara në bazën ushqimore të këtyre ekonomive familjare

Identifikimin e kostove për rindërtimin e:

Rrugëve kombëtare të dëmtuara

Rrugëve rurale të dëmtuara

Rrugëve të brendshme të qyteteve të dëmtuara

Ujësjellësve e kanalizimeve të dëmtuara

Shkollave të dëmtuara

Qendrave shëndetësore të dëmtuara

Banesave të dëmtuara

Pritave malore të dëmtuara

Alokimin e menjëhershëm prej buxhetit të shtetit të:

Granteve për  bashkitë dhe komunat në emergjencë prej motit sipas miratimeve në buxhetin e shtetit

Fondeve të përcaktuara për ndërhyrje të menjëhershme e të qëndrueshme në rrugët rurale, rajonale apo të fshtrave, rrugët parësore e rrugët që lidhin lagjet e brendëshme te qyteteve

Fondeve për ndihmën ekonomike, në masë të plotë dhe për një periudhë të paktën 4 mujore përfshirë edhe familjet që do të bien në varfëri si pasojë e emergjencës aktuale

Fondeve për pagesën e papunësisë, në masë të plotë dhe për një periudhë të paktën 4 mujore

Fondeve të invaliditetit, në masë të plotë dhe për një periudhë të paktën 4 mujore

Fondeve të pensioneve të pleqërisë, në masë të plotë

Alokimin e menjëhershëm prej buxhetit të shtetit të:

Fondeve të investimeve për ndërtimin e digave e pritave mbrojtëse nga vërshimi i ujrave në ultësirën veriperendimore e perendimore.

Fondeve të investimeve për përforcimin e digave e pritave (aktuale) mbrojtëse nga vërshimi i ujrave në ultësirën veriperendimore e perendimore

Fondeve të investimeve për ndërtimin e pritave në lumenj për të disiplinuar vërshimin e tyre

Fondeve  operative për të garantuar funksionimin normal dhe pandërprerje të hidrovoreve në të gjithë ultësirën perëndimore

Plani i afatmesëm i masave:

Të hartohet një hartë kombëtare e zonave (komuna e fshatra) me risk të lartë nga fatkeqësitë natyrore

Të bëhen përmirësimet ligjore që pagesat e përfitimeve të ndryshme sociale si pensione, pagesë e ndihmës ekonomike, pagesë e papunësisë, pagesë për personat me aftësi të kufizuar të kryhen çdo muaj nëntor për katër muaj rresht për periudhën nëntor – shkurt.

Kompanitë private dhe publike që ofrojnë shërbime jetike të detyrohen ligjërisht që të kenë ofrim shërbimesh në të gjithë territoret pavarësisht nga emergjencat e ndryshme.

Duhet riorganizuar i gjithë sistemi i mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare, rajonale dhe rurale.

Fondi për përballimin e emergjencave duhet të jetë pjesë e veçantë e fondit të kontigjencave të buxhetit vjetor dhe duhet miratuar veçmas me miratimin e buxhetit të shtetit për çdo vit financiar.

Të krijohet mundësia ligjore dhe praktike që familjet dhe bizneset të kenë akses në tregun e sigurimeve për sigurimin ndaj rrezikut të katastrofave

Të kërkohet zbatimi i projektit të Bankës Botërore për rritjen e kapaciteteve për përballimin katastrofave dhe emergjencave me fond prej rreth 10,2 milionë euro që duhet të kishte filluar prej vitit 2009 dhe duhet të përfundojë në vitin 2012.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit