Transmetuar më 16-02-2012, 11:06

Tiranë, 16 shkurt 2012, NOA – Ka nisur me debate seanca e sotme plenare e Kuvendit, ku kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi kërkoi, që për shkak të situatës së vështirë, në të cilën po mbijetojnë mijëra banorë në zonat e izoluara nga dëbora të ndryshojë edhe rendi i ditës për diskutimet në Kuvend.

Në krye të seancës kryetari i grupit kuvendor të PS-së Gramoz Ruçi deklaroi se vendi po kalon një situatë anormale për shkak të kushteve të motit.

“Në këto kushte një Parlament demokratik duhet të informohet mbi situatën në mbarë vendin, e për këtë duhej që ekzekutivi të ishte sot në Kuvend dhe të informonte”, theksoi Ruçi.

Ai nënvizoi se opozita ka bërë një ofertë për bashkëpunim dhe organizim të përbashkët të planit të veprimit në zonat e bllokuara nga dëbora.

Ruçi e cilësoi një fatkeqësi të madhe që ata që kanë përgjegjësi për këtë situatë nuk ndodhen në sallën e Kuvendit.

Por, Kryetarja e Kuvendit i pret fjalën në mes kreut të grupit të PS-së duke i cilësuar deklaratat e opozitës një hipokrizi.

“Hipokrizia nuk ju ndihmon, të ishe serioz e të kishe kërkuar interpelancë. Jeni në thyerje të rregullave të seancës”, tha kryeparlamentarja Topalli duke kërkuar mbylljen e seancës pak minuta nga nisja.

Përveç debateve mbi situatën e emergjencës në veri, verilindje e juglindje të vendit ku me dhjetra e dhjetra komuna janë të zhytura nën dëborë, në rendin e ditës së seancës Kuvendi do të shqyrtojë dy projektligjet e rëndësishëm që kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar votash siç janë Kodi Penal, për të cilin janë ndërmarrë katër nisma legjislative e që vijon të shqyrtohet në komisione si dhe Kodi Civil, i cili edhe ky kërkon 84 vota për t’u miratuar.

Ndryshimet e fundit në Kodin Civil parashikojnë që shpifjet e fyerjet nga gazetarët të dënohen me gjobë e jo me burg e të bëjnë pjesë në Kodin Civil jo atë Penal.

Ndërkohë në rendin e ditës janë edhe hedhja në votë e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për shlyerjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Republikës së Sllovenisë”; projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës për ndalimin e armëve kimike, për të drejtat dhe imunitete e ONAK”; projektligjit “Për fondin kullosor”; projektligjit “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”; projektligjit “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”; si dhe plotësimit të vendeve vakante në institucione.

Kuvendi ka parashikuar në fund të seancës një orë diskutime për çështje të tjera.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit