
Ish presidenti amerikan, Bill Klinton, duke reflektuar lidhur me vendimin e tij për të intervenuar në Kosovë ka shkruar: “Djegia e fshatrave dhe vrasja e të pafajshmëve ishte histori. E kam ditur se ishte çështje e kohës, para se Millosheviqi do të ishte histori, poashtu”…
Nga Financial Times
Në Siri sot ne po e shohim përsëritjen e historisë.
Hezitimi i komunitetit ndërkombëtar për të vepruar po i zgjatë mizoritë kundër civilëve sirianë.
Situata në Siri nuk është shumë e ndryshme nga ajo e Kosovës, në fillim të vitit 1998, kur liderët perëndimorë kishin bërë ftesë për përfundim të dhunës, por goditja brutale nga regjimi i Serbisë kishte vazhduar.
Numri i të vrarëve në mesin e shqiptarëve të Kosovës rritej, ndërsa qindra mijëra ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Regjimi i Asadit e ka miratuar një politikë të ngjashme me atë të Sllobodan Millosheviqit, duke e marrë në shënjestër popullatën civile, në qytetet kryesore të kundërshtimit të regjimit, siç janë Homs dhe Hama.
Në këtë udhëkryq kritik, kur është e qartë se Bashar al-Asadi nuk do ta ndalë vrasjen dhe masakrën, efektivisht është përjashtuar çfarëdo negociate.
Ata anëtarë të komunitetit ndërkombëtar, që synojnë ta shpëtojnë popullin e Sirisë, mund t’i mësojnë disa leksione të vlefshme nga Kosova: çka të bëhet dhe çka të mos bëhet.
Përkundër vetos së Rusisë dhe Kinës në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbështetur nga Liga Arabe, ende ka shpresë se diçka mund të bëhet për Sirinë.
Shtetet e Bashkuara ishin të afta të ndihmojnë në krijimin e një Kosove të pavarur, jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pa e humbur asnjë trupë amerikane.
Bashkimi Evropian po debaton për një rund të ri të sanksioneve kundër zotit Asad dhe miqve të tij.
Por, sanksionet, siç e dinë shumica, paraqesin një thes të përzier.
Derisa Bashkimi Evropian, ka punuar për të vënë sanksione kundër regjimit, dhe për t’i shpëtuar civilët dhe infrastrukturën, regjimi i Asadit e ka ndërtuar një ekzistim të izoluar, i ngjashëm me atë të Koresë Veriore.
Tashmë viktima të terrorit dhe të shkatërrimit humanitar, gjëja e fundit që i nevojitet popullit të Sirisë është një fushatë ndërkombëtare, që edhe më tutje e dobëson ekonominë dhe rindërtimin e bënë edhe më të vështirë.
Një strategji e rrumbullakësuar mirë e intervenimit mund të përfshijë këto gjëra: e para, sikur në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar – qoftë ai mision i përbashkët i OKB-së dhe Ligës Arabe, ose koalicion i “Miqve të Sirisë”, duhet të parasheh zona të sigurta të mbrojtura nga forca ajrore.
Fushata ajrore do ta minimizoj rrezikun e aktorëve intervenues.
Kritikët e intervenimit kanë shqetësime se një fushatë e tillë mund ta nxisë terrorizmin dhe tensionet sektare në gjithë rajonin.
Por, shqetësimet se tensione sektare do të përhapeshin në gjithë rajonin, si pasojë e intervenimit në Siri, nuk janë me vend.
Është mosveprimi i komunitetit ndërkombëtar, që kërcënon ta shtyjë Sirinë kah lufta civile e shkallës së plotë, që do të nxisë ndarje në irak, Liban, dhe Jordani, pos tjerash.
Nëse Siria zhytet në luftë civile, fat të tillë do të ketë edhe rajoni.
Shtetet e Bashkuara mund të jenë të lodhura nga lufta, por ende mund t’i bashkohen anës së drejtë të historisë, duke e mbështetur një koalicion ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin e Sirisë.
Deri tash, civilët sirianë kanë qenë viktima të politikave ndërkombëtare.
Tash, vetëm një intervenim ndërkombëtar mund t’i ndalë mizoritë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





