

Comayagua , 15 shkurt 2012, NOA- Të paktën 350 të burgosur gjetën vdekjen nga asfiksia dhe të karbonizuar në qeli, gjatë një zjarri që shpërtheu befas në burgun e Comayagua, në Honduras.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, mediat botërore flasin për shumë të plagosur duke mos dhënë një numër të saktë të tyre, ndërsa sqarohet se zjarri nuk ka shpërthyer si shkak i ndonjë revolte, pasi nuk ka pasur të tillë.
Në ambientet e burgut ishin 850 persona të dënuar, ndërsa disa të burgosur arritën të mbijetonin duke dalë nga çatia, e një pjesë e tyre u hodhën në boshllëk e për rrjedhojë kanë marrë plagë të rënda dhe janë shtruar në spital.
Nga të dhënat paraprake dyshohet në dy pista për shkaqet e zjarrit, zjarrvënie e qëllimshme nga ndonjë i burgosur dhe mundësia e ndonjë shkëndije elektrike.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





