

Skrapar, 14 shkurt 2012, NOA – Mijëra banorë të fshatrave malorë në zonën e Skraparit janë izoluar prej ditësh nga dëbora që ka bërë të pamundur qarkullimin e tyre duke pamundësuar edhe sigurimin e të mirave materiale të nevojshme për të kaluar situatën e acartë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Shtresa e dëborës në dhjetëra fshatra malorë ka tejkaluar trashësinë 1 metër duke u kthyer në një shqetësim të madh për banorët që jetojnë atje.
Mësohet se moti i acartë i dy javëve të fundit ka bllokuar të gjitha rrugët, që lidhin Skraparin me katër komuna e dhjetëra fshatra të zonës.
Kështu të bllokuara nga dëbora mbeten akset rrugore: Çorovodë-Qafa e Devrisë; Çorovodë-Leshnjë; Çorovodë-Gjerbës; Skrapar-Dobrenjë, akset rrugore lidhëse me fshatrat Turbehovë, Bujanik, Kulmak, Çorotatë, Dobrushë, Mëlovë, Davidh, Tomorricë, Cerovë etj.
Sipas informacioneve më të fundit erërat e forta kanë shkatërruar çatitë e shtëpive në komunën Potom.
Në fshatrat e bllokuar nga dëbora mungon prej ditësh edhe furnizimi me energji elektrike, ndërsa banorët e zonën ankohen se nuk kanë më rezerva ushqimore për bagëtitë.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





