

Tiranë, 14 shkurt 2012, NOA – “Rama qan me lot gëzimi problemet e krijuara nga fatkeqësia natyrore e dëbora masive në mbarë vendin”, deklaroi sot në emër të partisë Demokratike, zëdhënësja e saj Albana Mustafaraj, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
PD iu kundërpërgjigj me një reagim akuzave të kryesocialistit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së grupit kuvendor socialist deklaroi se sot Shqipëria veç tërbimit të motit po vuan edhe shurdhërinë e qeverisë.
Nisur nga akuzat e liderit të opozitës, selia blu përmes zëdhënëses Mustafaraj thekson se “Si në të gjitha rastet e fatkeqësive natyrore, të përmbytjeve, njeriu që dikur bënte grevë urie për të bllokuar liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, këto ditë duket se fërkon duart e hedh lot krokodili, duke shpresuar se do të mundë të nxjerrë përfitime politike nga një fatkeqësi natyrore që ka pllakosur jo vetëm Shqipërinë por edhe të gjithë Evropën, në të cilën kanë humbur jetën mbi 620 persona”, u shpreh Mustafaraj.
Për PD-në, tha Mustafaraj, “sulmet e Edi Ramës në kohë fatkeqësish natyrore, dëshmojnë vetëm primitivizmin e moralit njerëzor dhe përgatitjen për disfatën përfundimtare që meriton”.
Shefi i selisë rozë Edi Rama deklaroi në mbledhjen e deputetëve socialistë se “Sot Shqipëria po vuan përveç tërbimit të motit dhe shurdhimin e qeverisë së saj. Qeveria ishte shurdhe në nëntorin e shkuar kur ne kërkuam me ngulm që buxheti i këtij viti të parashikonte problemet e rënda që sot kanë gjunjëzuar vendin. Qeveria ishte shurdhe kur ne propozuam që buxheti i këtij viti të parashikonte para të mjaftueshme për sigurimin e energjisë dhe përballimin e emergjencave civile. Qeveria ishte shurdhe kur ne argumentuam se duheshin garantuar kontratat e blerjes së energjisë dhe duhej parashikuar kriza e sotme e borxhit të KESH-it. Ashtu siç ishte shurdhe qoftë kur ne kërkuam që dëmshpërblimet për zonat e përmbytura të Shkodrës të futeshin në buxhet, qoftë kur argumentuam se të tjera fonde duheshin vënë mënjanë për përmbytje të tjera të mundshme”.
Sipas Ramës, Shqipëria përballet sot me koston e trefishtë të shurdhërisë së qeverisë sepse jemi përballë një krizës së izolimit nga dëbora të mijëra familjeve që po ziejnë kokrrat e fundit të misrit, përballë krizës energjitike që ka nisur të ndjehet në çdo shtëpi ku fiken dritat me orë të tëra, e përballë përmbytjeve të radhës, që me këtë dëborë masive janë të pashmangshme.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





