Transmetuar më 14-02-2012, 13:43

Tiranë, 14 shkurt 2012, NOA – Një nga problemet, më të cilat përballen komunat e izoluara prej ditësh nga dëbora është mungesa e barnave mjekësore me rimbursim për të sëmurët kronikë.

Këtë e kanë vërejtur grupet e ISKSH-së, të cilët inspektojnë zonat e izoluara nga dëbora, kryesisht në veri dhe verilindje të vendit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al. Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të sëmurë në këtë moment akut, ISKSH nisi një procedurë të veçantë për mbulimin e shërbimit për të sëmurët kronikë.

Kështu janë ngritur komisione të posaçme për të verifikuar nëpërmjet të dhënave në sistem duke përfshirë edhe mjekun e familjes, dhe që do të identifikojnë çdo të sëmurë kronik që merr recetë me rimbursim në këto zona.

Komisionet do të bëjnë të mundur edhe përpilimin e pakove të sakta me medikamentet mujore të pacientëve kronikë, të cilat më pas do të dërgohen për çdo person nominalisht, nëpërmjet shtabit të emergjencës dhe mjeteve të ushtrisë.

ISKSH theksoi se një lindje e suksesshme u krye në Qendrën Shëndetësore Tamarë, në Komunën Kelmend në prani të mjekut të familjes, i cili arriti të bëjë të mundur një lindje mjaft të vështirë, ndërsa nëna dhe djali i porsalindur gëzojnë shëndet të plotë.

ISKSH, publikon të dhënat e mbledhura të martën janë si më poshtë:

Shkodër: 270 pacientë në 4 komuna të bllokuara. Vermosh, Shosh, Shalë dhe Pult. 25% e pacientëve i kanë marrë medikamentet, pjesa tjetër paketohet sot dhe do u niset nëpërmjet shtabit të emergjencës.

Dibër: 263 pacientë në komunat Zerqan, Ostren, Sllov-Kala e Dodes, Fushë Cidhen, Zall Dardhë-Rec, Arras, Muhurr- Selisht, Lurë.

Korçë: 68 pacientë në 3 komuna – Vithkuq, Miras dhe Velçan

Kukës: 700 pacientë – të gjitha komunat Has, Kukës, Tropojë- të bllokuara.

Sipas ISKSH, ky mekanizëm do të funksionojë deri në fund të emergjencës së shkaktuar si pasojë e motit të keq zonat e bllokuara nga dëbora.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit