Transmetuar më 13-02-2012, 23:04

SHBA, 13 shkurt 2012, NOA – Ngushëllimet e yjeve të botës së spektaklit në SHBA për vdekjen e mbretëreshës së muzikës pop, Whitney Houston, nuk kanë munguar dhe në internet. Si asnjë herë tjetër, faqet e rrjeteve sociale janë mbushur me foto, këngë, ngushëllime dhe vlerësime për ikonën e muzikës, e cila u nda nga jeta të shtunën. Në mënyrë më të veçantë, Facebook dhe Twitter janë dy rrjetet sociale që kanë pasur më shumë komente, raporton noa.al.

Këngëtarja Mariah Carey, një mike e Houston shkruan në Facebook: “Zemra më është thyer. Jam duke lotuar për miken time, të pakrahasueshmen Whitney Houston”. Edhe këngëtari Lenny Kravitz, ka zgjedhur që mesazhin e tij ta jap në Facebook. "Whitney, u prehsh në paqe. Nuk do të ketë kurrë më një tjetër si ty”, shkruan këngëtari i njohur.

Ndërsa Christina Aguilera shkruan; “Humbëm një tjetër legjendë. Lutje dhe dashuri për familjen e Whitney”. Edhe këngëtarja Jennifer Lopez shkruan se duhet të lutemi për familjen e Houston. “Kemi humbur një prej zërave më të mëdhenj të kohës sonë”, thotë ajo.

Këngëtarja Aretha Franklin shprehet se është e shokuar për vdekjen e koleges së saj. “Nuk mund të flas për këtë gjë tani. Është kaq shokuese dhe e pabesueshme ajo që ka ndodhur. Nuk mund ta besojë”.

Një mesazh që ka shumë dhimbje është dhe ai i këngëtares Alisia Keis, e cila e ka pasur Houston një idhull gjatë gjithë jetës. “Më mungon e mrekullueshmja Whitney, i mungon gjithë botës sot. Ndjehem keq… Jeta është e çmueshme dhe ne jemi kaq të brishtë”.

Këngëtari i ri Justin Bieber, lutet për familjen dhe vlerëson yllin e muzikës pop. “Humbëm një nga zërat më të mirë që ka ekzistuar ndonjëherë”.

Edhe këngëtarja Barbra Streisand shpreh hidhërimin e saj, duke shtuar se Houston nga jeta ka pasur gjëra të bukura. “Ajo kishte gjithçka; bukuri dhe një zë të mrekullueshëm. Është shumë e trishtueshme të mendosh se këto gjëra nuk i sollën asaj lumturinë që na dha ne duke kënduar”.

Kate Parry thotë se është e shkatërruar nga lajmi i vdekjes së koleges së saj. Nuk kanë munguar dhe këngëtarët italian, si Laura Pausini dhe Luca Carboni të cilët shprehin dhimbjen për ndarjen nga jeta të Whitney.

r.b/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit