

Tiranë, 13 shkurt 2012, NOA- Kryesocialisti Edi Rama ka reaguar ashpër përballë Kryeministrit Berisha dhe vazhdimit të mbledhjeve të tij dhe ministrave të kabinetit për festimet dhe aktivitetet e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Kreu i selisë rozë e ka quajtur paturpësi mbledhjen e mbrëmjes së sotme të komitetit ndërministror për 100 vjetorin e Pavarësisë, ku Kryeministri Berisha deklaroi se ky është viti i të vërtetave kombëtare, pasi historia pati dy anë të medaljes, madje kërkoi nga historianët që ta shkruajnë me objektivitet atë.
“E paturpshme: Shqipëria digjet nën dëborë e Saliu krihet para para televizionit duke molloisur për Azerbajxhanin paradite e për Zogun e Hoxhën paradarke! Cili Kryeministër në botë me vendin në këtë hall nuk do rrinte sot 24 orë në krye të operacioneve të emergjencës po do merrej me mufka si Saliu sot?”, shprehet Rama, në një koment në faqen e tij në Twitter.
Sipas kryetarit të Partisë Socialiste, ky Kryeministër po e turpëron përditë shoqërinë shqiptare me nivelin e ndërgjegjes, logjikës dhe politikës së tij qorre e shurdhe përballë halleve të vendit.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





