Transmetuar më 13-02-2012, 10:12

Tiranë, 13 shkurt 2012, NOA – Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mblidhet sot për të zëvendësuar vendin e lënë vakant të zëvendëskryetarit të KLD-së, pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut më 10 shkurt përpara mbarimit të mandatit të tij, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryetari i KLD-së, njëherësh Presidenti i Republikës Bamir Topi ka thirrur një mbledhje të KLD-së të hënën, gjatë të cilës pritet të vendoset për emrin e ri të zëvendëskryetarit të KLD-së.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu dha dorëheqjen nga posti i tij të premten e shkuar për t’i hapur rrugë shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese të konfliktit të hapur mes tij dhe Kuvendit.

Spahiu i dorëzoi dorëheqjen e tij të parevokueshme Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Numri i dy i KLD-së, i cili qëndroi në këtë post për tre vjet deklaroi gjatë dorëheqjes se “do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes pushtetit legjislativ dhe pushtetit gjyqësor, të iniciuar me kërkesën për shkarkimin e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku Kuvendi shkel kompetencat ligjore të vet Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Por, beteja e mazhorancës kundër tij nuk merr fund këtu pasi kreu i Komisionit hetimor Spahiu, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj paralajmëroi të premten se do ta kallëzojnë penalisht Kreshnik Spahiun në prokurori me argumentin se ky i fundit nuk bashkëpunoi në dhënien e informacioneve, duke penguar hetimin dhe shkelur ligjin për komisionet parlamentare.

Alibeaj e cilësoi dorëheqjen e Kreshnik Spahiut si një akt juridik, por që nuk pengon vijimin e hetimeve ndaj tij.

Komisioni trejavor Spahiu mblidhet sot pasdite për të publikuar raportin përfundimtar lidhur me kërkesën për verifikimin e veprimtarisë së Kreshnik Spahiut në postin drejtues të KLD-së, ditë kur ky komision përfundon edhe mandatin.

Mazhoranca e akuzoi atë se ka shkelur Kushtetutën duke krijuar parti politike, nënkuptuar këtu Aleancën Kuq e Zi.

Kreshnik Spahiu që në krye të herës e cilësoi këtë komision parlamentar, ku opozita nuk ka pranuar të marrë pjesë si një komision antikushtetues.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit