

Qeveria: Gjendje e fatkeqësisë natyrore në Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë e Librazhd
Tiranë, 12 shkurt 2012, NOA Update – Qeveria e mbledhur me urgjencë mbrëmjen e të dielës shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e bllokuara prej mëse dhjetë ditësh nga dëbora, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Duke shprehur shqetësimin për faktin se gjysma e vendit është e mbuluar nga dëbora, kryetari i Qeverisë Sali Berisha deklaroi se të gjitha operacionet humanitare në komunat e bllokuara në veri, në verilindje e juglindje duhet të përqendrohen në hapjen e rrugëve të izoluara nga dëbora e dendur dhe në ndihmën për shpëtimin e jetëve të banorëve të izoluar.
“Potenciali i orteqeve është i madh, kemi një rrezik tjetër të madh, çatitë, shembja e të cilave mund të na çojë në katastrofë. Bora përbën një bllokim real, përbën një problem serioz të furnizimit, ndaj dhe duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këtë zona, ne mundësojmë ndërmarrjen e përgjegjësive më të shpejta për hapjen e të gjitha rrugëve të komunave dhe fshatrave, si kusht i të gjitha kushteve për të ndihmuar banorët”, deklaroi kryeministri Berisha.
Kryeministri i shprehu ngushëllime familjes së 45-vjeçarit Isa Qarri, i cili nuk mundi t’i mbijetojë hipotermisë, pasi mbeti për afro 30 orë jashtë në majë të malit të Oplasit në Kukës bashkë me kushëririn e tij Myrteza Qarri, i cili është ende në gjendje kritike për jetën në spitalin e Kukësit.
E duke iu referuar vdekjes së njërit prej kushërinjve Qarri, të cilët u bllokuan në mal ku kishin shkuar për të vendosur një antenë, paraditen e të premtes, shefi i qeverisë u bëri thirrje banorëve të zonave të bllokuara të shmangin çdo udhëtim që vë në rrezik jetën e tyre.
“Prognoza nuk është ajo që do të donim. Duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar humbje në jetë njerëzish. Duhet të bëjmë gjithçka që jeta e banorëve të izoluar të vijë drejt normalizimit. U bëj thirrje banorëve të shmangin udhëtimet, sepse realiteti është i vështirë, dhe jo në çdo rast mund të vijë ndihma e duhur në kohë”, theksoi kryeministri.
Ai nënvizoi se situata duhet trajtuar me urtësi dhe aspak me panik, pasi sipas kryeministrit nuk ka asgjë për të rënë në panik.
Duke folur për situatën e jashtëzakonshme dhe dimrin më të egër të dekadave të fundit që ka mbërthyer Shqipërinë dhe Europën, kryeministri Berisha iu përgjigj akuzave të kryesocialistit Rama në Twitter, me mesazhin se ata që rendin në dëborë nga strofulla për të qëmtuar vota në zonat e bllokuara dëshmojnë primitivizmin e tyre.
“Në këto përpjekje njerëzit e qytetëruar janë të bashkuar, ndërsa ata që nga strofulla e tyre gëzojnë duke vjellë vrerë me shpresën se do mund të qëmtojnë vota mbi mundimin dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë të krijuar nga situata natyrore e paparë, dëshmojnë se rendin jo në dëborë, por në shpellën e primitivizmit të tyre. U them sonte se sigurisht që është një situatë jo e lehtë pasi gjysma e territorit të vendit është e rrethuar nga dëbora, temperatura të ulëta. Por ne do të bëjmë gjithçka që t’i kapërcejmë vështirësitë, do bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të dalin nga kjo situatë. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur në radhë të parë jetët e tyre, duke shfrytëzuar çdo potencial”, u shpreh kryeministri.
Në këtë suazë, Kryetari i Qeverisë shprehu shqetësimin e tij se izolimi i komunave nga dëbora kërcënon edhe lindjen e fëmijëve në kushtet e mungesës eventuale të asistencës mjekësore.
Kryeministri i kërkoi ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili të bëhet gjithçka për t’u mundësuar nënave shtatzëna atje, lindjen e fëmijëve të tyre, duke kontaktuar edhe mami me kontratë.
“Ne duhet të urojmë që kjo situatë të jetë sa më e shkurtër, por duhet të përgatitemi për ta përballuar atë edhe në rast se ajo zgjat. Dhe ne nuk duam të kemi probleme, siç janë lindjet. Dhe aty ku s’ka mami të kontaktojmë mami me kontratë për lindjen e fëmijëve, me synimin që të mos kemi lindje të paasistuara. Duhet të jetë një detyrim madhor i autoriteteve vendore që të ndihmojnë ekipin të arrijë në destinacionin e duhur”, theksoi kryeministri, duke sjellë si shembull rastin e një nëne të re nga Lezha, e cila e bllokuar nga përmbytjet e vjetshme e lindi fëmijën e saj me asistencën e mamisë, që erdhi me varkë.
Pasi dëgjoi të dhënat më të fundit mbi situatën e rrugëve kryeministri kërkoi nga ministrat e linjës disbursimin e fondeve për komunat e bllokuara nga dëbora.
Zoti Berisha kërkoi një vëmendje e madhe edhe për Rrugën e Kombit, një prej arterieve kryesore për kalimin drejt veriut të vendit.
Gjithashtu ai tha se duhet të merren të gjitha masat për të përballuar çdo eventualitet të mundshëm të daljes së lumenjve nga shtrati pas përmirësimit të kushteve të motit, dhe për rrjedhojë edhe shkrirjes së dëborës.
Shefi i qeverisë i bëri thirrje anëtarëve të kabinetit të tij të angazhohen tërësisht në përballimin e situatës së pazakontë, përfundimi i të cilës është në dorën e natyrës dhe Zotit.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





