

Tiranë, 12 shkurt 2012, NOA – Duke shprehur shqetësimin për situatën e jashtëzakonshme në veri dhe verilindje të vendit i bllokuar prej ditësh nga reshjet e dendura të dëborës, që vijojnë të bien me intensitet, Kryeministri Sali Berisha shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e izoluara, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë në mbrëmje, kryeministri theksoi se afro gjysma e territorit të vendit është e rrethuar nga dëbora dhe temperaturat e ulëta.
“Bora me mbi 2.5 metër lartësi përbën një problem real të lëvizjes, furnizimit me ushqime, ndaj dhe duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona nënkupton ndërmarrjen e përgjegjësive për hapjen e rrugëve në të gjitha komunat e izoluara si kusht i të gjitha kushteve për shpëtimin e banorëve të kërcënuar”, deklaroi kryeministri.
Ai nënvizoi se qeveria ngriti në kohë Komitetin Ndërministror, i cili e trajtoi mjaft me kujdes situatën.
Kryeministri Berisha tha se situata është tejet e vështirë në zonat e bllokuara për shkak të agresivitetit të reshjeve të dëborës, që e kanë çuar trashësinë e saj në afro tre metra në disa zona të thella malore.
“Situata me të gjithë agresivitetin e saj në tërësi është përballuar. Dje ka qenë edhe viktima e parë e lidhur direkt me hipoterminë”, tha kryeministri duke folur për dy kushërinjtë Qarri, të cilët mbetën mëse një ditë të bllokuar në majën e lartë të malit të Oplasit në Kukës, porse njëri mundi t’i mbijetojë acarit.
Shefi i qeverisë tha se banorët kërcënohen nga shembja e çative të shtëpive të tyre nga orteqet e dëborës.
“Trashësitë e dëborës janë të mëdha dhe potenciali i orteqeve është i madh, por përveç orteqeve, një rrezik tjetër serioz janë çatitë, shembja e të cilave nga dëbora krijon katastrofa të vërteta në familjet. Në emër të qeverisë duke u shprehur solidaritetin më të madh banorëve të izoluar nga dëbora, qeverive vendore, u bëj thirrje që në mënyrë të programuar të përballojnë çdo mundësi për rrezikimin e jetës së banorëve”, apeloi kryeministri duke veçuar si një nga rreziqet potenciale, shembjen e çative nga orteqet e dëborës.
Kryeministri garantoi se situata nuk është për panik, porse duhet angazhim i plotë dhe i tërësishëm për daljen nga situata.
“Është në tagrin dhe detyrën e qeverive vendore që të organizojnë punën me synimin që në këtë situatë të pazakontë të mos kërcënohet jeta e familjeve. Ndërkohë Komiteti i Emergjencës Civile ka ndërmarrë dhjetra e dhjetra aksione nga toka dhe ajri për të dërguar ndihma banorëve të izoluar nga dëbora”, tha kryeministri. Vijon…
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





