

Librazhd, 12 shkurt 2012, NOA – Moti i acartë me reshje dëbore që ka mbërthyer vendin ka krijuar probleme për qarkullimin në akset rrugore të Librazhdit, po edhe në operacionin e shpërndarjes së ndihmave, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Dy helikopterët e dërguar nga Ministria e Mbrojtjes në fshatin Qarrishtë të Komunës Qendër për shkak të stuhive nuk kanë mundur të ulen për të shpërndarë ndihmat për 210 banorët e këtij fshati.
Trashësia e dëborës në fshat arrin deri 1 metër e gjysmë, ndërsa në zonën e Qafë Shapkës shkon deri në katër metra.
Në fshatin Qarrishtë mungon prej ditësh energjia elektrike, ilaçet dhe ushqimet, ndërkohë që komuna Stëblevë është e izoluara tërësisht nga dëbora.
Reshjet e dendura të dëborës të rëna gjatë natës dhe ditës së dielë kanë bllokuar tërë aksin deri në shkëmbin e Lunikut.
Autoritetet lokale njoftojnë se edhe këtu ndihmat nga rezervat e shtetit nuk kanë mundur të transportohen për shkak të motit të keq.
Në komunën Stravaj të Librazhdit janë bllokuar 26 familje.
Ndërkohë, aksi që lidh komunën e Sopotit me Qafën e Mlait është i pakalueshëm për shkak të trashësisë së dëborës, që është mbi dy metra.
Të bllokuara janë edhe komuna Rrajcë, fshatrat Bardhaj, Rrajcë Skënderbej, komuna Polis si dhe akset rrugore rurale Polis-Gurëshpatë, Polis-Vilan-Qafë Dardhë, ndërsa segmenti Librazhd-Përrenjas –Qafë Thanë është i kalueshëm.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





