

Tiranë, 12 shkurt 2012, NOA – Në kushtet kur veriu i vendit, verilindja dhe juglindja janë në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të izolimit nga dëbora, Ministria e Brendshme deklaroi se po vijon organizimin dhe drejtimin e operacioneve të ndihmës në të gjithë territorin e zonave të bllokuara nga dëbora, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Zëdhënësi i MB-së Fatmir Konja gjatë një konference për shtyp theksoi se për hapjen për komunikim të të gjitha akseve kombëtare dhe rurale të bllokuara nga reshjet e dëborës janë angazhuar 49 borëpastruese, 40 fadroma dhe disa mjeteve me zinxhirë të ushtrisë.
“Ekipi i helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë ka realizuar 38 fluturime për transportin e qytetarëve në emergjencë shëndetësore në rrethet Tropojë, Malësi e Madhe dhe Kukës. Flota e helikopterëve të Forcave të Armatosura ka realizuar 8 misione fluturimi për furnizimin me mallra ushqimore dhe higjienike në rrethet Librazhd dhe Peshkopi’, tha zëdhënësi i MB-së.
Ai bëri me dije se mjetet e mekanizuara të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes kanë transportuar dhe shpërndarë 1120 pako ushqimore në rrethet Pukë, Tropojë dhe Kukës.
Konja sqaroi se monitorimi dhe komunikimi me të gjitha rajonet kryhet nëpërmjet kryetarëve të komunave me pikat e kontaktit në çdo shtab prefekture dhe me shtabin qendror të emergjencave në numrat: 2233106, 2233090 dhe 0694110198.
“Çdo tentativë për të futur numra telefoni jashtë mekanizmit të menaxhimit të emergjencës është një keqpërdorim politik i situatës së vështirë të motit dhe stinës, përhap panik te popullata dhe nxit kaosin në organizimin e përballimit të situatës.
Operacionet e ndihmës dhe shpëtimit të çdo qytetari do të vazhdojnë pa ndërprerje në orët dhe ditët në vijim deri në tejkalimin e kësaj situate të shkaktuar nga ky mot i vështirë”, nënvizoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





