Transmetuar më 12-02-2012, 13:31

Tiranë, 12 shkurt 2012, NOA – Parlamenti i Shqipërisë ka reaguar sot në lidhje me qëndrimin e Prokurorisë për mos dorëzimin e dokumeteve për lënien e imunitetit të tre deputetëve të PS-së. Në një njoftim për media, Kuvendi njofton se shkresa për autorizimin e nisjes së hetimeve ndaj tre deputetëve; Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj, në lidhje me ngjarjen e 21 janarit 2011 është dorëzuar që në datën 3 shkurt në organin e akuzës.

“Kuvendi i Shqipërisë, me shkresën përcjellëse të Sekretarit të Përgjithshëm, zotit Marlind Myftiu, nr.364, datë 3.2.2012, ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme, vendimet e Kuvendit 4/2012, 5/2012 dhe 6/2012 për dhënjen e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale, përkatësisht  për deputetët Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj. Shkresa nr.364, datë 3.2.2012 me vendimet e mësipërme është marrë në dorëzim me firmë, me datë 3.2.2012, ora 13.15 nga zonja Loreta Paparito, me detyrë përgjegjëse e Zyrës së  Protokollit të Prokurorise së Pergjithshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Po sipas Kuvendit, në të njëjtën datë, me shkresën nr.363/1 vendimet janë dërguar edhe në Qendrën e Publikimeve Zyrtare, për botim. “Kopjet e shkresës, vendimeve të Kuvendit dhe të librit të Protokollit, në të cilin është firmosur marrja në dorezim e tyre nga Prokuroria e Përgjithshme janë bashkëngjitur. Çdo pretendim tjetër është trillim dhe i pavërtetë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Tre deputetëve ju kërkua heqja e imunitetit nga Prokuroria për të hetuar mbi përfshirjen dhe organizimin e tyre në demonatratën e 21 janarit.

a.k/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit