

"Do të ishte mendjeshkurtësia më e madhe n.q.s. dikush do të mburrej se po implementon një model të gatshëm. Kjo nuk mund të ndodhë e realizohet sot. Në realitet ka vetëm modele orientative, të cilat ne me mençuri duhet të dimë t’i implementojmë në realitetin tonë duke i kombinuar midis tyre dhe me veçoritë tona"…
Nga Tritan Shehu
Disa ditë më parë, kolegë socialistë të Komisionit të Shëndetësisë deklaruan njëzëri në seancën plenare të Kuvendit se po përfundonin strategjinë e tyre të zhvillimit të sistemit shëndetësor në vendin tonë dhe shpalosën disa nga piketat kryesore të saj. Që në fillim dua të them se një ndërmarrje e tillë, e cila, pa dyshim, do të stimulojë dhe debate politike a teknike, është për t’u përshëndetur. Është gjithmonë kënaqësi të diskutosh apo debatosh për të tilla tema të rëndësishme, me impakt të gjerë, me elemente gjithandej të diskutueshme dhe që kërkojnë një përgatitje të thellë profesionale. Kjo është njëra anë e asaj medaljeje që na u shfaq atë ditë. Ana tjetër, dhe ketë nuk e them se unë bëj pjesë në kampin politik të qendrës së djathtë, është fakti i një reaksioni të brendshëm që ndjeva duke dëgjuar ato ide të hedhura në atë seance parlamentare. Kjo nuk bazohej vetëm të disa dukuri superficiale të atyre “prezantimeve” për reformën shëndetësore, por veçanërisht te konceptet filozofike e politike bazale për zhvillimin e saj. Megjithatë, nuk mund të mos përmend këtu dhe elementet e para që u vunë re. Ajo që dallonte, për mendimin tim, ishte një linjë jo e qartë mendimi në çështje të rëndësishme, divergjenca midis deputetëve në esencë të çështjeve, mosargumentim i qartë i tyre. Pavarësisht nga kjo, ajo që dua veçanërisht të theksoj ishte vendosja në themel të kësaj strategjie e koncepteve të vjetra centraliste në organizim, menaxhim, financim e orientim, të thëna nëpërmjet disa sloganeve populiste, aspak në përputhje këto me konceptet e sotme të ekonomisë sociale të tregut. Në esencë ishin po ato gënjeshtra komuniste qe ne kemi dëgjuar për 50 vite resht, për “shëndetësinë falas”, “barazinë dhe lumturinë” e të gjithëve, për mosimplementimin e politikave të kontributeve direkte të popullsisë, për politika thellësisht proteksioniste ndaj sektorit publik, pra për shkatërrimin dhe të asaj që kemi arritur deri sot, drejt tregut të shëndetit. Me dy fjalë, ishte një largim katastrofal nga principet reale të zhvillimit, që bazohen mbi konceptet e tregut e mbrojtjen aktive sociale nëpërmjet principeve të tij, për të kaluar në një sistem paralizues, ku çdo gjë lidhet me shtetin, financohet e sigurohet në mënyrë “ideale” nga ai. Teori të tilla, pa dyshim që të kthejnë së paku 20 vite mbrapa, të largojnë jo vetëm nga politikat zhvilluese sektoriale, por në fakt janë një kërcënim për tërë sistemin ekonomik të Shqipërisë, duke tentuar ta largojnë atë nga rruga e zhvillimit real. Në pjesën dërrmuese të atyre prezantimeve u duk qartë qëndrimi krejt i kundërt me themelin e sistemit të sotëm shëndetësor, që është koncepti i shitblerjes së shërbimit, barazisë në treg publik-privat. Dhe të gjitha këto ide demagogjike ofroheshin sikur ata në këtë mënyre po implementonim një model të gatshëm, atë britanik. Së pari, këtu dua të theksoj se kjo nuk është e vërtetë. Ato ide ishin shumë larg nga vetë sistemi britanik, i cili tërësisht bazohet mbi profesionistin e lirë, pra privat, dhe që aty quhet GP. Së dyti, do të ishte mendjeshkurtësia më e madhe n.q.s. dikush do të mburrej se po implementon një model të gatshëm. Kjo nuk mund të ndodhë e realizohet sot. Në realitet ka vetëm modele orientative, të cilat ne me mençuri duhet të dimë t’i implementojmë në realitetin tonë duke i kombinuar midis tyre dhe me veçoritë tona. Dhe e gjithë kjo “teori socialiste” për sistemin shëndetësor, atë ditë u ofrua nën një ambalazh “impresionues”, atë të ashtuquajtur “sistem universal” apo “sistem kombëtar shëndetësor”, sikur modelet e tjera janë internacionale, planetare apo diçka tjetër. Këtu, përfitoj nga rasti për të theksuar se sa më shumë emra “impresionues” kërkohet të përdoren si “etiketë”, aq më bosh në ide është përmbajtja e “kutisë”. Nga ana tjetër, ato ide të prezantuara binin thellësisht ndesh dhe me vetë politikat shëndetësore të qeverive të mëparshme socialiste, të cilat, pavarësisht nga kufizimet, dinamizmi i ulët apo qartësia e pjesshme e ideve që patën, ecën në tërësi në rrugën e piketave të vendosura që në vitin 1992, për një sistem shëndetësor mikst në konceptin publik e privat, me financim mikst, pra i bazuar në kontribute direkte e taksimin e përgjithshëm, me bazë shitblerjen e shërbimeve midis institucioneve shëndetësore, publike a private dhe sistemeve të sigurimeve etj. Së paku teorikisht këto ide asnjëherë nuk janë kundërshtuar nga ata. Në të vërtetë janë vetëm këto parime, që e konsolidojnë tregun e shëndetit si forca kryesore e zhvillimit shëndetësor, në një realitet të ri të Shqipërisë, në atë të ekonomisë së tregut. Vetëm këto parime të lejojnë të bësh një politikë reale zhvillimi sektorial, të implementosh politika reale sociale në tërësi, apo mbrojtëse për shtresat në nevojë. Kjo gjë tashmë jo vetëm është konsoliduar në princip në vendin tonë, por dhe ka ngulur rrënjë në realitetin tonë. Këto politika zhvilluese e sociale kanë bërë që në kundërshtim me atë që thonë kolegët socialistë, skema e sigurimeve të jetë zgjeruar ndjeshëm në këto vite, që të gjithë ata që nuk mund të kontribuojnë direkt, të përfshihen në mënyrë automatike në këtë skemë. Siç thashë dhe më sipër, këto elemente thelbësore zhvilluese i gjejmë të inseruara në një formë apo tjetrën, me më shumë apo me më pak intensitet, në strategjitë e të gjitha qeverive, të majta apo të djathta qofshin këto, duke u larguar kështu në mënyrë të pandërprerë nga gënjeshtrat e dikurshme për sistemin shëndetësor. Por, fatkeqësisht, kolonat e strategjisë shëndetësore të paraqitura së fundi nga kolegët socialistë, pavarësisht dhe divergjencave të tyre të brendshme, konfuzionit logjik, janë një kthim mbrapa i tyre. Ato dominohen gjithashtu dhe nga iracionaliteti në përputhjen me realitetin e ri ekonomik e social të vendit, si dhe me mësimet e dala në Europë tashmë, mbas krizës ekonomike. Për mua këto ide janë shqetësuese, se në këtë mënyrë, me dashje apo pa dashje, tentojnë të krijojnë pengesa artificiale në ecjen tonë për një ekonomi tregu, ekonomi reale, ekonomi sociale tregu, liri zhvillimi e politikash aktive sociale, që janë të vetmet mundësi, në përputhje me realitetin tonë apo me atë europian. Në këtë kontekst, së fundi unë dëshiroj t’u them këtyre kolegëve të nderuar se është e vërtetë që sektori i shëndetësisë ka shumë probleme e nevoja për përmirësime dinamike në të. Është e vërtetë që shumë gjëra duhet e mund të ishin zhvilluar më mirë e më shpejt në shëndetësi. Por këto nuk mund të përmirësohen e realizohen duke hedhur në publik teori thellësisht centraliste, të tejkaluara në kohë, jo produktive e populiste, qoftë për spekulime politike, qoftë nga kufizimet në vizion. Këto mund përmirësohen duke kërkuar e përkrahur rrugë konkrete e stimuluese për përshpejtimin e ritmeve të implementimit të atyre koncepteve reale zhvilluese, që janë në përputhje me trajektoren e zhvillimit të vendit. Fatmirësisht, që prej 20 vitesh, së paku teorikisht dhe në linjat kryesore, ne të gjithë së bashku i kemi pranuar me mençuri principet e reformës shëndetësore te ne, si të vetmet mundësi eficiente të zhvillimit të atij sektori. Të kthehesh sot mbrapa në kohë, është e pafalshme.
"Panorama"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





